Nga: JETON SELIMI *
Tronditet Skënderbeu! Kampionët në fuqi do të duhet t’ia dalin në luftën për titull pa sulmuesin e tyre më të mirë, nigerianin Piter Olajinka. Lojtari është ndëshkuar rëndë nga Komisioni i Apelit, i cili ka vendosur që ta pezullojë Olajinkën 4 muaj nga fushat e blerta, që ndryshe do të thotë se nigeriani nuk do të jetë në shërbim të skuadrës korçare deri në fund të kampionatit. Në arsyetimin e tij, Komisioni i Apelit pranë FSHF-së, e ka cilësuar si shkelje të rregullores për statusin dhe transferimin e futbollistit, firmosjen në prag të fillimit të sezonit nga ana e nigerianit të dy kontratave: fillimisht me Kukësin dhe më pas me Skënderbeun. Më konkretisht neni 18, pika 5, parashikon se “në rastin kur një lojtar profesionist lidh më shumë se një kontratë për të njëjtën periudhë kohore, ndaj tij do të aplikohen dispozitat e parashikuara në kapitullin 4”. Bazuar në këtë dispozitë, Komisioni i Apelit ka hedhur poshtë vendimin e mëparshëm të Komisionit të Disiplinës dhe atë të dhomës së zgjidhjes së konflikteve, duke vendosur: “Në caktimin e masës së dënimit që është parashikuar si minimalisht 4 muaj pezullim dhe eventualisht 6 muaj në rastet e rrethanave rënduese, Komisioni i Apelit merr në konsideratë faktin se këtij komisioni nuk i rezultojnë për shqyrtim rrethana të tilla rënduese”. Në bazë të këtij vendimi kampionët e Skënderbeut do të humbasin shërbimet e sulmuesit të tyre më të mirë deri në fundin e këtij sezoni.
Josa
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, është shprehur shumë i pezmatuar për vendimin e Komisionit të Apelit, i cili ka pezulluar deri në fund të sezonit sulmuesin nigerian Olajinka. Në linjë telefonike, Josa ka deklaruar për gazetën se ky pezullim ndëshkon rëndë Skënderbeun në luftën për titullin kampion. “Është një vendim që na prek direkt dhe na ndëshkon rëndë. Olajinka është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe ky vendim na hap jo pak punë”, deklaroi trajneri tiranas i kampionëve. Josa nuk ka preferuar që ta komentojë vendimin e Apelit, ndërsa ka kërkuar që të presidenti Takaj të bëjë një përpjekje të fundit në merkato në këto ditë. “Vendimin e Apelit nuk e komentoj. E pranoj siç është. Është detyrë e drejtuesve të merren me këtë çështje. Unë do të përpiqem që ta rregulloj fazën sulmuese me lojtarët që kam në dispozicion. Natyrisht që do të preferoja të merrnim një tjetër sulmues përsa kohë kemi mundësi ta bëjmë dhe merkatoja ende nuk është mbyllur”, përfundoi trajneri i kampionëve, Mirel Josa.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: