KOSOVE

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, ka përfunduar në polici, një ditë pasi tronditi opinionin publik, teksa publikoi një fotografi, ku dukeshin ushtarët serbë duke dhunuar një grua shqiptare.

Deputetja kosovare është thirrur sot në polici për t’u pyetur rreth fotografisë. Mediat kosovare raportojnë se deputetja i është shmangur hyrjes kryesore të policisë, për të mos u filmuar nga kamerat. Ndërsa në ambientet e Policisë së Kosovës ndodhet edhe prokurorja speciale Drita Hajdari.

Deputetja kosovare i publikoi fotot e tmerrshme një ditë më parë, gjatë seancës plenare, ku në rend dite ishte dhe propozimi i rezolutës për gjenocidin. Në foto shfaqeshin ushtarët serbë duke dhunuar gruan shqiptare, në sy të familjarëve të saj, disa prej të cilëve i vrasin dhe disa të tjerë i keqtrajtojnë.

Ngjarja e tmerrshme dëshmonte krimet e rënda të serbëve gjatë kohës së luftës në Kosovë. Duke folur për mediat kosovare pas publikimit të fotove të rënda, deputetja Brovina paralajmëroi se në vijim do të publikojë edhe dy dëshmi të tjera për krimet që serbët kanë kryer në Kosovë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb