Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të saj nga Shqipëria, Edi Rama.

“Me një tronditje të madhe mësova për tërmetin në Shqipëri, ku gjetën vdekjen shumë njerëz dhe një numër i madh u plagosën. Dëshiroj t’ju shpreh pjesëmarrjen time të sinqertë. Mendimet tona janë te viktimat dhe të lënduarit. E di edhe dhimbjen që ju desh të përjetonit Ju dhe familja Juaj e ngushtë”, shkruan kancelarja gjermane.

“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për ju dhe për të gjithë njerëzit në Shqipëri që kanë humbur të dashurit e tyre si rezultat i tërmetit. Të lënduarve u urojmë shërbim të shpejtë”, shkruan më tej kancelarja gjermane dhe shton: “Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’ju mbështesin në këtë kohë të vështirë”.

Është e hera e dytë që Gjermania ofron ndihmën e saj për Shqipërinë nëpërmjet strukturave të BE-së. Në kuadër të mekanizmit të emergjencës së BE-së, ajo iu përgjigj menjëherë thirrjes së Shqipërisë për ndihmë dhe ofroi një skuadër shpëtimi dhe pajisje. Sipas burimeve të DW, në marrëveshje me autoritetet shqiptare dhe mekanizmin koordinues u vendos që në Shqipëri nga Gjermania të dërgoheshin dy vullnetarë të Asistencës së Ndihmës Teknike (THW). Të mërkurën pritet të shkojë në Shqipëri një delegacion i Komisionit të ri të BE-së për biseduar për ndihmën e mëtejshme ndaj Shqipërisë.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 në bregdetin qendror të Shqipërisë ishte i shkallës 6,3 ballë dhe u ka marrë jetën deri tani 51 njerëzve. Afro 700 vetë kanë marrë ndihmë spitalore. Sipas një statusi të publikuar në media sociale të të birit të kryeministrit të Shqipërisë, Greg Rama, një nga viktimat ishte edhe shoqja e këtij të fundit, e cila u shuajt me të gjithë pjesëtarët e familjes. Të hënën, më 2 dhjetor 2019, Ambasada e Shqipërisë në Berlin do të hapë dyert për qytetarë dhe institucione që duan të shkruajnë diçka në librin e ngushëllimeve./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb