“Të bekuara janë zemrat që përkulen: ato nuk do të thyhen kurrë…”, Albert Camus. Kështu e nis këtë apel për ndihmë faqja në Facebook, “Tropoja Poetike” që sjell historinë e një familje në nevojë. Mes varfërisë, mungesës së veshjeve dhe ushqimeve, djali më i vogël i familjes, Edisoni është ai që po vuan dramën më të madhe. Me një vrimë në shtyllën kurrizore, 12-vjecari i cili e dashuron shkollën, bën 2 orë cdo ditë në këmbë për të mësuar me shokët e shoqet në klasë. Jeta e tij është në rrezik, një ndërhyrje kirurgjikale do i shpëtonte jetën Edisonit të vogël.
Ja historia e dhimbshme dhe fotot që dëshmojnë mjerimin e familjes tropojanë.


“Në fshatin Tpla të rrethit të Tropojës familja e Musë Malajt lufton për mbijetesë. Kjo familje prej 5 anëtarësh pa të ardhura ekonomike në një banesë në kushte mesjetare bën apel për ekzistencë. Banesa pa tavan, me ndarje dhome prej çatmash dhe lageshti, në mungesë të çdo orendie shtëpie me një llampë elektrike, me mungesë të vazhdueshme të ushqimeve apo bukës së gojës na sjell ndër mend LEGJENDEN E MISRIT të Migjenit pa, buke, pa ngrohje, pa rroba, pa shpresë ky është realiteti i sotëm të familjes Malaj. I zoti i shtëpisë Musë Malaj është martuar në moshë të thyer sot ai ka 75 vite, ka tre femijë dhe një bashkëshorte rreth 30 vite në moshë më të re por vuajtjet, mundimet dhe hallet e kanë plakur para kohe. Por e keqja nuk mbaron me kaq krahas tre djemve të kësaj familje ndodhet edhe Edisoni 12 vjeç i cili ka lindur me një vrimë afër shtyllës kurrizore dhe jeta e tij është në rrezik në çdo
moment. Vetëm ndërhyrja kirurgjikale në spitale jashtë shteti është zgjidhja e vetme.


Ky fëmijë 12 vjeçar është i detyruar të mbajë pampers gjatë gjithë kohës. Edisoni është një fëmijë i zgjuar dhe mëson në shkollë e do jetën pavarsisht se është i sëmurë ai e vazhdon shkollën udhëton dy orë në ditë me çantën e librave në shpinë një rrugë me baltë ujë e dëborë i veshur keq shpesh herë edhe i zbathur në kundërshtim të plotë me këshillat e mjekut, por me dëshirën e madhe për tu bërë i ditur. Nga lodhja, sëmundja pothuajse me orë të tëra rri i lagur nga pantallonat pasi pampersat nuk ja mbajnë urinimin e pavetëdishëm dhe shpesh është përballur edhe me ofendimin e moshatarëve apo shokëve të shkollës. Kjo e mundon së tepërmi. Edisoni së bashku me dy vëllezërit e tjerë nuk ka tavolinë as karrige për të bërë mësimet apo detyrat. Zgjidhja është dyshemeja e banesës.
Familja Malaj është në pikën e hallit nuk ka të ardhura për ushqim e veshmbathje, nuk ka para për ta shëruar djalin.


Vetë Musa është i moshuar dhe nuk mund të bëjë punë fizike. Kanë një lopë dhe një përkrahje sociale të vogël. Dy divanë të falur, një stufë drush, një dollap të vjetër enësh një banesë që edhe jeta e kafshëve rrezikohet. Kjo është pasuria familjare e familjes Malaj në fshatin Tpla.
Ky është realiteti i sotëm varfëri, skamje, sëmundje që asnjë institucion lokal apo shtetëror jo që nuk i ndihmon, por as që i ka vizituar ndonjëherë qoftë për tja u thënë dy fjalë të mira.
Kjo gjendje e rëndë kërkon ndërhyrje emergjente të qeverisë të pushtetit lokal por është apel për shoqata, fondacione apo biznesmen të japin ndihmën sa më parë për të shpëtuar një familje”, shkruhet faqen në Facebook, ‘Tropoja Poetike’.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb