ELBASAN – Vijon debati për çështjen e shembjes së kishës katolike “Shën Piu X” në Elbasan. Në një deklaratë për mediat, trashëgimtarët e Qemal Karaosmanit, të cilëve me vendim të Gjykatës së Lartë, në qershor të 2012-ës, iu është njohur e drejta e pronësisë mbi truallin ku është ngritur kisha, deklaruan se nuk duan prishjen e objektit të kultit fetar.

“Nuk është në traditën e familjes sonë që të prishim objektet e kultit, – tha përfaqësuesi i kësaj familjeje. – Përkundrazi, familja e Qemal Karaosmanit, brez pas brezi, ka kontribuar me të gjitha format dhe mënyrat për të ndërtuar objekte kulti.”

Një tjetër përfaqësues i trashëgimtarëve, tha se marrja e pronës “nuk nënkupton që ne të prishim kishën katolike. As e çojmë ndërmend. As e kemi çuar dhe as e çojmë ndër mend një gjë të tillë.”

Përsa i përket akuzave për përfshirjen e familjes së Presidentit Nishani, duke përdorur pushtetin në vendimin e gjykatave, përfaqësuesit e familjes Karaosmani ata thanë se padrejtësia në fakt iu është bërë atyre, duke iu mohuar e drejta e pronës për 20 vjet. Ata i kërkuan përfaqësuesve të kishës të mos e politizojnë çështjen dhe të bien në kontakt me pronarët legjitimë të truallit.

“Pse do ta politizojë kisha sot, problemin e pronës sonë,- tha përfaqësuesi i Karaosmanëve, – kur vendimi përfundimtar, i formës së prerë, i Gjykatës së Apelit ka dalë në 12 qershor të vitit 2012?! Këto veprime nuk janë të moralshme dhe aspak të ndershme dhe duan që të manipulojnë opinionin publik sikur kishës i është bërë një padrejtësi nga familja e Presidentit të Republikës.”

Përfaqësuesi i dytë tha se zgjidhja mund të gjendet për të dyja palët:”Sipas ligjit, ose të marrin me qera një pjesë të tokës ose të gjithë këtë që kanë rrethuar; kjo do të varet nga biseda që do të bëjmë me kishën katolike.”

Reagimi i familjes Karaosmani ka ardhur pas letrës së përfaqësuesve të komuniteteve fetare, drejtuar Kryeministrit Rama dhe kreut të parlamentit Meta, në të cilën shprehen kundër vendimit të Gjykatës së Lartë dhe duke kërkuar mosshembjen e kishës. Kjo çështje u kthye në objekt debatesh të enjten mes përfaqësuesve të mazhorancës në Kuvend dhe vetë Presidencës, që i konsideroi sulme politike të dështuara për të marrë kontrollin e këtij institucioni.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb