Sot ka nisur votimi i parakohshëm për zgjedhjet presidenciale në shtetin e Xhorxhias, që është një nga 7 shtetet kyçe në garën mes ish-Presidentit Donald Trump dhe zv.Presidentes, Kamala Harris.
Bordet zgjedhore të Xhorxhias kanë votuar për të kërkuar një numërim me dorë për çdo votim të hedhur në shtet, duke krijuar potencialisht vonesa të mëtejshme në një sistem që mori javë për të dhënë një rezultat përfundimtar katër vjet më parë.
Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, ka kritikuar një ndryshim të diskutueshëm të rregullit në shtet për numërimin e votave në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit.
Ndryshimi i rregullave përballet me sfida ligjore.
Në një intervistë dje me Washington Post, Raffesnperger, i cili mbikëqyr zgjedhjet e shtetit, tha se kjo mund të ngadalësojë numërimin e votave dhe të krijojë një “tokë të ushqyer për teoritë konspirative”. Zyrtari republikan tha se ndryshimi i rregullit “tejkalon ligjin e shtetit”.
Është folur shumë gjatë kësaj fushate zgjedhore për integritetin e zgjedhjeve – veçanërisht pasi Donald Trump dhe shumë nga aleatët e tij vazhdojnë të sugjerojnë në mënyrë të rreme Joe Biden nuk fitoi zgjedhjet e 2020. Pas atyre zgjedhjeve, një regjistrim zbuloi se Trump i kishte thënë Raffensberger-it se donte të “gjente 11780 vota” – për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve – kur numri përfundimtar i votave tregoi se Biden kishte fituar Xhorxhian.
Zyrtarët zgjedhorë të shtetit kundërshtuan mandatin e numërimit me dorë, duke paralajmëruar se ai mund të sjellë rrezikun e gabimit ose mashtrimit.
Punonjësit e votimit në 6500 qendrat e votimit të shtetit do të fillojnë numërimin e votave vetëm në natën e zgjedhjeve më 5 nëntor.
Në vitin 2020, një rezultat përfundimtar në Xhorxhia nuk u dha deri më 7 dhjetor, pasi Donald Trump kërkoi një rinumërim.
Në garën e vitit 2020, Xhorxhia u fitua nga Joe Biden me rreth 12,000 vota. Numërim i votave ishte gjithashtu pjesë e një prej betejave ligjore të vazhdueshme të Trump.
Trump – i cili është deklaruar i pafajshëm – dhe rreth 18 të pandehur të tjerë akuzohen për komplot kriminal për të përmbysur humbjen e tij në shtetin e Xhorxhias në zgjedhjet e vitit 2020.