Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka uruar Boris Johnsonin për marrjen e detyrës si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe dhe ka biseduar me të përmes telefonit për kapjen e cisternës britanike nga Irani në Ngushticën e Hormuzit.

Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 26 korrik se sapo kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Johnson.
Dy udhëheqësit kanë biseduar për tensionet e fundit me Iranit dhe për nevojën që Uashingtoni dhe Londra të punojnë së bashku për këtë çështje, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Britania.

Tensionet ndërmjet Iranit dhe Britanisë janë përshkallëzuar që prej se Marina Mbretërore britanike kapi një cisternë iraniane në Gjibraltar më 4 korrik dhe më pas Irani konfiskoi një cisternë të naftës së Britanisë më 19 korrik.

Cisterna britanike dhe ekipi i saj gjenden në portin Bandar Abbas dhe janë ndaluar nën dyshimin se kanë shkelur “rregullat ndërkombëtare detare”. Britania dhe pronari i anijes mohojnë këto pretendime.

Ndërkaq, Trump tha se Uashingtoni dhe Londra tashmë kanë nisur të punojnë drejt një marrëveshjeje për tregti të lirë ndërmjet dy vendeve.

Johnson u bë kryeministër i Britanisë pasi paraardhësja e tij, Theresa May nuk arriti që të nxjerr vendin nga Bashkimi Evropian, pasi Parlamenti britanik refuzoi marrëveshjen e arritur me Brukselin. Boris Johnson është zotuar se Britania do të dalë nga BE-ja më 31 tetor me ose pa marrëveshje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: