Mark Zuckerberg ka vizituar Mar-a-Lago dhe ka darkuar me Presidentin e zgjedhur Donald Trump, pasi me sa duket u tërhoq nga masa e tij e mëparshme për të censuruar Trump në platformat e tij.

Media të shumta vunë re CEO-n e “Meta” në resortin e Trump në Florida. Një zëdhënës i kompanisë konfirmoi se Zuckerberg dhe presidenti i zgjedhur u takuan të mërkurën dhe kishin darkuar së bashku.

“Marku ishte mirënjohës për ftesën për t’u bashkuar me Presidentin Trump për darkë dhe mundësinë për t’u takuar me anëtarët e ekipit të tij për administratën e ardhshme”, tha Meta në një deklaratë. “Është një kohë e rëndësishme për të ardhmen e inovacionit amerikan.”

Duke cituar burime anonime, New York Times tha se takimi është iniciuar nga Zuckerberg. Tema e saktë e bisedës së tyre të darkës ka mbetur mister.

“Ne nuk komentojmë raportet për takime private që kanë ndodhur ose nuk kanë ndodhur ”, tha fillimisht zëdhënësi i Trump, Steven Cheung. Zëvendës shefi i stafit Stephen Miller më vonë konfirmoi darkën.

“Marku, padyshim, ka interesin e tij, dhe ai ka kompaninë e tij dhe ka axhendën e tij”, tha Miller për Fox News të mërkurën në mbrëmje. “Por ai e ka bërë të qartë se dëshiron të mbështesë rinovimin kombëtar të Amerikës nën udhëheqjen e Trump.”

Zuckerberg e kishte ndaluar Trumpin nga Facebook dhe Instagram në vitin 2021, ndërsa ai ishte ende presidenti në detyrë i SHBA, duke përmendur akuzat se Trump kishte luajtur një rol në nxitjen e trazirave të 6 janarit në Kapitolin e SHBA. Trazirat pasuan protestat për zgjedhjet e vitit 2020, të cilat republikani i humbi zyrtarisht nga demokrati Joe Biden.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, Zuckerberg kishte dhuruar 400 milionë dollarë nga paratë e tij për institucione të ndryshme në zonat me shumicë demokratike.

Ndërkohë, rivali i Zuckerberg në mediat sociale, Elon Musk, është bërë këshilltari më i afërt i Trump, me disa media që e quajtën atë “shoku i parë”. Musk bleu Twitter-in (tani X) në vitin 2022 dhe riktheu shumë njerëz – përfshirë Trump – që menaxhmenti i mëparshëm i kishte larguar nga platforma.

Ai është caktuar për të drejtuar një grup të përkohshëm të quajtur “Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë” (DOGE) së bashku me Vivek Ramaswamy, me një mision për të ulur në mënyrë drastike madhësinë e burokracisë amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb