SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konsideruar rrëzimin e droni ushtarak amerikan nga Irani si “gabim shumë të madh”, duke rritur kështu shqetësimet se situata mund të përshkallëzohet në mes të këtyre dy vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ai ka dënuar rrëzimin e dronit mbikëqyrës të marinës RQ-4A Global Hawk nga një raketë tokë-ajër, derisa ka qenë duke operuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Irani në anën tjetër ka deklaruar se trupat e Gardës Revolucionare kanë qëlluar një dron “spiun” të SHBA-së, pasi ka kaluar në zonën e provincës, Hormozgan. Përveç kësaj, edhe sulmet e fundit në anije transportuese të naftës në Gjirin Oman dhe Ngushticën e Hormuzit kanë përkeqësuar marrëdhëniet, derisa Uashingtoni dhe shteti tjeter aleat, Arabia Saudite fajësojnë Iranin për këto incidente.

Teherani në anën tjetër mohon çdo keqbërje. Ministria e Jashtme iraniane ka dënuar, atë që e ka cilësuar si “provokim” në hapësirën ajrore të këtij shteti.

“Në dënojmë ashpër shkelje të tilla të kufijve të Iranit. Ne paralajmërojmë për pasoja ndaj këtyre masave provokative”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Abbas Mousavi.

Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit “do të ishte katastrofë për rajonin”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb