Ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, iu përgjigj deklaratës së Donald Trump, i cili njoftoi publikisht se nuk do ta përfshinte atë në kabinetin e tij të ri.
Në një postim në platformën X, Haley shkroi se i uron suksese presidentit të zgjedhur dhe ekipit të tij të ri, duke theksuar krenarinë për kontributin e saj të mëparshëm në administratën e Trump për mbrojtjen e Amerikës në Kombet e Bashkuara.
“I uroj atij dhe të gjithë atyre që shërbejnë, suksese të mëdha për të na çuar përpara drejt një Amerike më të fortë dhe më të sigurt gjatë katër viteve të ardhshme,” u shpreh ajo.
Reagimi i Haley erdhi pasi Trump njoftoi në rrjetin Truth Social se as Haley dhe as ish-sekretari i shtetit, Mike Pompeo, nuk do të jenë pjesë e kabinetit të tij. “Më pëlqeu dhe vlerësova shumë punën me ta më parë dhe do të doja t’i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonë,” deklaroi Trump, duke përmbyllur mesazhin e tij me sloganin “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish!”
Gjatë garës për kandidaturën republikane, Haley e prezantoi veten si një alternativë ndaj Trump-it, por në prag të zgjedhjeve, ajo publikoi një shkrim opinion ku e mbështeste atë si “zgjedhjen më të mirë” për presidencën, megjithëse theksoi se Trump nuk ishte i përkryer.
Në këtë shkrim, Haley u përpoq të tregonte përvojën e saj pozitive me të dhe vlerësimin për rezultatet që administrata e tij arriti në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.