Kandidati i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, e quan veten një “agjent të ndryshimit”. Ai ka dalë sot para komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit, në një seancë konfirmimi, që pritet të jetë e vështirë për të, mes pikëpyetjesh të ngritura mbi aftësinë e ish-veteranit të ushtrisë dhe gazetarit televiziv për të udhëhequr ushtrinë amerikane.
Përvoja e mëparshme e zotit Hegseth në Gardën Kombëtare shihet gjerësisht si një pikë e fortë e tij. Por ai gjithashtu ka një historik deklaratash tronditëse, apo veprimesh të së kaluarës, që kanë ngjallur kritika, përfshirë akuzat për abuzim seksual, përdorim të tepruar të alkoolit, apo mbi pikëpamjet e tij nënçmuese mbi rolin e grave në ushtri si dhe të pakicave
Ai është zotuar se nuk do të konsumojë më alkool nëse konfirmohet nga Senati për të drejtuar Pentagonin.
“Është koha për t’i dhënë timonin dikujt që ka qenë në fushëbetejë, një personi që do të ofrojë ndryshim”, pritet t’u thotë zoti Hegseth senatorëve, në deklaratën e tij hapëse të seancës dëgjimore, e cila është siguruar nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’.
Ai është ndër kandidatët më të rrezikuar, mes emërimeve që ka bërë zoti Trump për kabinetin e tij.
Por aleatët e republikanëve janë të vendosur ta shndërrojnë çështjen e zotit Hegseth në një kauzë të qasjes qeverisëse të zotit Trump, mes luftërash kulturore në vend.
Grupet e jashtme, përfshirë ato të lidhura me Fondacionin Heritage, një institut që mbështet politikat konservatore, kanë zhvilluar fushata të kushtueshme për të mbështetur emërimin e zotit Hegseth.
“Ai do të goditet, do të përçmohet, por për të do të flitet”, tha senatori republikan Tommy Tuberville, në një takim me ish-përfaqësues të forcave speciale të ushtrisë dhe marinës, që mbështesin emërimin e tij.
“Ne do t’ia dalim ta konfirmojmë atë”, shtoi ai.
Zoti Hegseth do të përballet me akuzat për abuzim seksual, të cilat ai i ka hedhur poshtë, apo mbi komentet e tij që bien ndesh me qëndrimet tradicionale të ushtrisë. Megjithatë ai gëzon mbështetjen e disa grupeve veteranësh, që thonë se deklaratat e pakujdesshme të tij, në të kaluar, nuk janë aq të rëndësishme sesa ajo që ai premton të bëjë, që është forcimi i gatishmërisë së ushtrisë për të luftuar.
Në vitin 2017, një grua tha në polici se zoti Hegseth e kishte sulmuar seksualisht, sipas një raporti të detajuar hetimor të bërë publik së fundmi.
Zoti Hegseth i ka mohuar akuzat dhe në atë kohë ka thënë në polici se marrëdhënia me të, gjatë një aktiviteti të grave republikane në Kaliforni, ishte konsensual. Ai më vonë e pagoi gruan që e akuzoi, duke nënshkruar një marrëveshje ligjore që parashikonte mosbërjen publike të rastit, duke shmangur kështu një padi të mundshme.
Zoti Hegseth do të duhet t’i përgjigjet pyetjeve rreth komenteve të tij se gratë nuk duhet të jenë angazhuara “drejtpërdrejt” në fushëbetejë, një pikëpamje që ai e ka zbutur pas takimeve që ka zhvilluar së fundmi me senatorë të ndryshëm.
Dy ish-veterane gra të luftës, republikania Joni Ernst dhe demokratja Tammy Duckworth, janë në mesin e atyre që pritet t’i drejtojnë zotit Hegseth pyetje të forta.
“Ai mund të përpiqet që t’i tërheqë komentet e tij për gratë në luftime, por ne e dimë se çfarë mendon ai.”, tha zonja Duckworth, veterane e luftës në Irak, e cila humbi një këmbë, dhe iu paralizua pjesërisht një dorë, kur helikopteri ‘Black Hawk’ që ajo drejtonte, rrëzua.
“Ai është personi më i pakualifikuar që është emëruar ndonjëherë për postin e sekretarit të mbrojtjes”, tha ajo.
Shumë senatorë nuk janë takuar ende me zotin Hegseth dhe shumica nuk kanë qasje tek të dhënat mbi të shkuarën e tij që ka FBI-ja. Vetëm drejtuesit e komisionit janë të informuar mbi gjetjet.
Megjithatë kontrolli i së shkuarës së zotit Hegseth nuk duket se prodhuar informacion të ri përtej atij që është tashmë publik, sipas një personi në dijeni të çështjes e që foli në kushte anonimiteti.
Gjasat janë që seanca dëgjimore e zotit Hegseth të ndjekë modelin e vendosur gjatë mandatit të parë të zotit Trump, kur një nga emrat që ai zgjodhi për anëtar të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh, u përball me pyetje të forta lidhur me akuzat për abuzim seksual të një bashkëmoshatareje të tij kur ishte adoleshent, e që megjithatë arriti të konfirmohet në Senat.
Zoti Hegseth ishte kryesisht i panjohur në Kongres Capitol Hill kur zotu Trump e caktoi atë për postin më të rëndësishëm në Pentagon.
Ai ka punuar si gazetar i rrjetit televizv “Fox News”, që nga viti 2014 dhe që me sa duket i ra në sy presidentit të zgjedhur, një konsumator i zjarrtë i programeve televizionit dhe lajmeve.
Zoti Hegseth, 44 vjeç, është shkolluar në universitetin prestigjioz ‘Princeton’ ai ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë nga viti 2002 deri në 2021, duke u vendosur në Irak në vitin 2005 dhe Afganistan në 2011. Ai është nderuar me dy medalje trimërie nga Forcat e Armatosura për merita në shërbimin ushtarak. Por atij i mungon përvoja e drejtimit të një institucion i të madh, siç është Pentagoni dhe ajo në fushën e sigurisë kombëtare./ VOA