Presidenti Trump, i minimizoi thirrjet për votëbesim kundër tij, në lidhje me akuzat se ai i ka kërkuar homologut ukrainas të hetojë një rival politik. I pyetur se sa seriozisht i merr kërcënimet për votëbesim nga Kongresi, Trump u tha gazetarëve në Nju Jork: “Aspak seriozisht”.

Mediat amerikane kanë raportuar se një informator i komunitetit të inteligjencës amerikane ka paraqitur një ankesë në muajin gusht, pasi është alarmuar nga përpjekja e supozuar e Trumpit për t’i bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në një bisedë telefonike.

Të dielën, Trump konfirmoi se ai e ka ngritur temën e ish-nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe të djalit të tij në një bisedë telefonike me Zelenskiyn, më 25 korrik. Trump tha se i ka thënë Zelenskiyt se “ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti [Joe] Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që tashmë po bëhet në Ukrainë”.

Ai e mohoi se i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar Bidenin, i cili është një nga kandidatët kryesorë demokratë që mund të sfidojë Trumpin, republikan, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb