Filozofi Klementin Mile, i ftuar në emisionin “Open”, shprehu mendimin e tij mbi planin e administratës së re të SHBA për të ndërprerë ndihmat për vendet e huaja.
Ai theksoi se presidenti Trump e ka vënë theksin te efikasiteti në qeverisjen e tij dhe se nuk ka asgjë të keqe në vlerësimin e këtyre programeve financiare që mbështeten nga SHBA.
“Qëllimi është të arrihen sa më shumë përfitime me sa më pak shpenzime,” tha Mile. Megjithatë, ai shprehu shqetësimin se ky fokus në efikasitet mund të çojë në trajtimin e shoqërisë si një treg. Ai theksoi se shoqëria ka nevojë për liri, mirëqenie dhe ndershmëri në shpërndarjen e të mirave.
Mile paralajmëroi se rreziku i administratës Trump është theksimi i madh i kësaj ideje, e cila mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në mirëqenien e popujve që përfitojnë nga ndihmat amerikane. Ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së një balanci mes efikasitetit dhe nevojave të shoqërisë.