Pas deklaratave të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump për blerjen e territorit të Groenlandës nga Danimarka për ta vendosur atë nën juridiksionin amerikan, Kopenhageni ka miratuar një paketë mbrojtje për territorin.

Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen nuk e specifikoi shifrën e saktë, por tha se paketa e mbrojtjes do të thotë “miliarda në shifra dyshifrore”, ndërsa mediat lokale vlerësojnë se do të arrijë në rreth 12-15 miliardë korona, që është afër 1.5 miliard euro.

Ministri shtoi se për këto para është planifikuar blerja e dy barkave patrulluese të klasit Tethys, dy dronëve me rreze të gjatë dhe dy ekipeve me qen tërheqës dhe fondet do të investohen gjithashtu në shtimin e personelit për Komandën Daneze të Arktikut.

“Ne nuk kemi investuar mjaftueshëm në Arktik prej vitesh, tani po planifikojmë një prani më të fortë”, tha Poulsen.

Ai e quajti kohën e këtij njoftimi “ironike”, pasi erdhi vetëm disa orë pas deklaratave të fundit të Trump për blerjen e Groenlandës.

Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu se Danimarka nuk mund të kontrollojë e vetme territorin e gjerë të Groenlandës.

“Nuk ka plane konkrete, por ne do të bashkëpunojmë me SHBA-në”, tha Poulsen.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Trump tha në rrjetin social se “për qëllimet e sigurisë kombëtare dhe lirisë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë pronësinë dhe kontrollin e Grenlandës absolutisht të nevojshme”.

Kryeministri i Groenlandës Mute Egede iu përgjigj deklaratave të Trump duke deklaruar: “Nuk jemi në shitje”.

Trump propozoi blerjen e Groenlandës gjatë mandatit të tij të parë, gjë që ngriti pluhur diplomatik midis Uashingtonit dhe Kopenhagenit, të cilat e quajtën planin “absurd”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb