Debatet rreth ankesës së një informatori mbi bisedën telefonike të Presidentit Donald Trump me homologun e tij të Ukrainës, kanë marrë një zhvillim të ri me kërkesën e zotit Trump për dorëheqjen e një ligjvënësi kyç të lidhur me këtë çështje. Zoti Trump pretendon se Adam Schiff, kryetari demokrat i komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, i kishte keqintepretuar fjalët e tij gjatë një seance të Kongresit të enjten.

Zhvillimet pasojnë ankesën e një informatori që pretendon se zoti Trump i kishte kërkuar ndihmë Presidentit të ri të Ukrainës gjatë bisedës telefonike më 25 korrik për të kërkuar informacion inkriminues për ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e tij Hunter. Informacioni do të dëmtonte potencialisht të ardhmen e zotin Biden për t’u bërë kandidati zyrtar i demokratëve për të sfiduar zotin Trump në vitin 2020.

Zoti Trump bëri thirrje të premten për dorëheqjen e zotit Schiff, të cilin e akuzon për keqintepretimin gjatë një seance të ditës së enjte të arsyeve mbi vonesën e administratës në paraqitjen e ankesës së informatorit, Kongresit. “Ai gjoja po lexonte variantin e saktë të zbardhur të bisedës, por ai i ndryshoi tërësish fjalët në mënyrë që të tingëllonte si diçka e tmerrshme dhe që unë të dukesha fajtor”, shkruante presidenti Trump në një postim në Twitter.

“Ndaj Adam Schiff gënjeu Kongresin dhe u përpoq të mashtrojë publikun. Bëj thirrje që ai të japë dorëheqjen menjëherë bazuar në këtë mashtrim!”, shkruan zoti Trump. Në fjalën e hapjes gjatë seancës të së enjtes zoti Schiff tha se ankesa është “prova më e gjallë që Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shkelur betimin e bërë për pozitën që mban”.

Zoti Schiff tha se ndërsa Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u përpoq ta bëjë për vete zotin Trump gjatë bisedës telefonike, përgjigja e presidentit siç tha ai “ishte si përgjigjja e një organizate klasike të krimit të organizuar” duke vazhduar më tej me interpretimin e tij të fjalëve që kishte thënë zoti Trump gjatë bisedës.

Në një intervistë të premten për rrjetin televiziv MSNBC zonja Pelosi tha se zoti Barr, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend “është një mashtrues” lidhur me mënyrën se si e kishte trajtuar ankesën. Në një dokument të publikuar këtë javë nga Shtëpia e Bardhë me bisedën e zbardhur mes dy presidentëve shkruhet se zoti Trump i kishte kërkuar Presidentit Volodymyr Zelenskiy që të punojë me zotin Barr dhe avokatin e tij personal Rudy Giuliani për të hetuar zotin Biden dhe djalin e tij.

Zonja Pelosi akuzoi zotin Barr se ishte pjesë e një “fshehjeje” të telefonatës bashkë me Shtëpinë së Bardhë. “Mendoj se ajo që ata po bëjnë është mbulimi i asaj çka fshehën”, tha zonja Pelosi. Të enjten, përpara se të largohej nga Nju Jorku ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zoti Trump u tha disa anëtarëve të stafit amerikan në OKB se ai kërkon të dijë se kush ia dha informacionin informatorit.

Zoti Trump tha se kushdo që e ka bërë këtë “ishte pothuaj një spiun” dhe se “në kohërat e vjetra spiunët trajtoheshin ndryshe” siç shkruante gazeta The New York Times. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb