Presidenti Donald Trump kundërshtoi të hënën sugjerimet se këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë injorojnë urdhërat e tij kur i konsiderojnë ato të papërshtatshme me normat e presidencës. “Askush nuk i injoron urdhrat e mia”, u tha presidenti Trump gazetarëve në ceremoninë vjetore të Pashkëve në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti po reagonte ndaj të dhënave në raportin prej 448 faqesh të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, ku thuhet se disa këshilltarë të tij kanë injoruar direktivat e dhëna prej tij gjatë dy viteve të para në Shtëpinë së Bardhë, sepse i konsideronin ato si të pajustifikuara, që dëmtonin presidencën e tij ose sepse donin të qëndronin vetë jashtë ngatërresave ligjore.

Në një episod të raportuar gjerësisht, këshilltari i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, Donald McGahn u tha hetuesve se ai refuzoi disa propozime të presidentit Trump për të nxitur zyrtarët e lartë të Departamentit të Drejtësisë që shkarkonin prokurorin Mueller për t’i dhënë fund hetimit që kishte hedhur hije në presidencën e tij. “Përpjekjet e presidentit për të ndikuar hetimin ishin kryesisht të pasuksesshme”, arrin në përfundim prokurori Mueller, “por kjo është kryesisht për shkak se personat që rrethonin presidentin nuk pranuan të zbatonin urdhrat apo të miratonin kërkesat e tij”.

Raporti i prokurorit Muellerit e nxorri të pafajshëm presidentin Trump dhe fushatën e tij nga akuza për bashkëpunim me Rusinë për ta ndihmuar atë të zgjidhej president, por nuk ishte në gjendje të arrinte në përfundimin se “nuk kishte sjellje kriminale” për akuzat se presidenti Trump pengoi drejtësinë duke penguar hetimin. Megjithatë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, i emëruar si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit të vendit, arriti në përfundimin se megjithëse prokurori Mueller nuk mori vendim për çështjen e pengimit të drejtësisë, të dhënat për pengim të drejtësisë nuk justifikonin masa të mëtejshme ligjore.

Me portretizimin e përpjekjeve të presidentit Trump për të penguar hetimin e prokurorit Muller, disa demokratë të opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët thonë se po shqyrtojnë pyetjen nëse do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, edhe pse nuk ka pothuajse asnjë shans që Senati i kontrolluar nga republikanët të grumbullojë dy të tretat e votave të kërkuara për të dënuar presidentin Trump dhe për ta larguar atë nga posti.

I pyetur nëse ai ishte i shqetësuar për këtë procedurë, presidenti Trump u përgjigj: “As pak.”

Në një koment të mëparshëm në Twitter, presidenti Trump tha: “Vetëm krimet dhe shkeljet e larta mund të çojnë në shkarkim. Nuk ka pasur krime nga unë (Nuk ka patur bashkëpunim, apo pengesa), kështu që nuk mund të shkarkohem. Ishin demokratët ata që kryen krime, jo Presidenti juaj republikan! Po kthehet pllaka në Gjuetinë e Shtrigave! “. / Voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb