Pas më shumë se një mijë ditësh nga lufta ruse në Ukrainë, presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha se lufta në Ukrainë duhet të zgjidhet, sipas raporteve të mediave.

Trump bëri një vizitë në Paris për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame të shtunën, ku dha një intervistë ekskluzive me të përjavshmen franceze Paris Match.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së tha se kishte “një takim të mirë” me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Ai vuri në dukje se ka pasur shumë kriza në botë dhe se një e re u shfaq në Siri .

“Siria do të duhet të kujdeset për veten. Ne nuk jemi të përfshirë në Siri,” tha Trump. “Unë mendoj se ne duhet të zgjidhim problemin e Ukrainës me Rusinë. Të dyja këto vende po humbasin numra që askush nuk mund t’i besojë. Qindra mijëra ushtarë po vriten,” shtoi ai.

Lindja e Mesme është gjithashtu “një prioritet i madh”, sipas Trump.

“Por unë mendoj se Lindja e Mesme është një situatë më pak e vështirë sesa Ukraina me Rusinë,” theksoi ai.

Përpara ceremonisë që shënoi rihapjen e Katedrales Notre Dame pas pesë vjetësh, një takim i parë trepalësh u mbajt të shtunën në Pallatin Elysee në Paris ku përfshiheshin presidenti francez Emmanuel Macron, Zelensky dhe Trump.

Takimi shënoi diskutimin e parë ballë për ballë mes Zelenskyt dhe Trump që nga fitorja e këtij të fundit në zgjedhje.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb