Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti të martën një konferencë shtypi në rezidencën e tij në Florida. Ai shpjegoi qëndrimin e tij lidhur me çështjet kyçe të politikës së jashtme ndërsa merr drejtimin e Shteteve të Bashkuara më 20 janar.
Ai bëri thirrje për lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi më shumë se një vit më parë, duke thënë prerazi gjashtë herë se në kundërtën “tmerri do të pasojë”.
Sulmi brutal terrorist i grupit militant palestinez ndaj popullsisë civile në Izrael shkaktoi një konflikt të ashpër që ka nxitur trazira në rajon dhe shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve.
Përpara konferencës së shtypit, i dërguari i tij special për Lindjen e Mesme i informoi gazetarët lidhur me bisedimet e tij të fundit të nivelit të lartë në rajon, duke thënë se ishte “në prag të arritjes së një marrëveshjeje” dhe se do të kthehej në rajon gjatë ditëve në vazhdim.
“Nuk dua t’i dëmtoj negociatat tuaja”, i tha zoti Trump të dërguarit Steve Witkoff. “Por nëse ata nuk lirohen përpara se të marr detyrën, tmerri do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe nuk do të jetë një situatë e mirë për Hamasin, dhe sinqerisht për askënd”.
Sa i përket Ukrainës, zoti Trump shprehu interes për t’u takuar me udhëheqësin rus dhe përsëriti zotimin e tij për të “zgjidhur” konfliktin në Ukrainë. Zoti Trump nuk ka shpjeguar se si do ta bënte këtë.
Kur u pyet për një kërkesë kyçe të planit të paqes të Ukrainës, që ky vend të lejohet t’i bashkohet NATO-s, zoti Trump tha: “Pikëpamja ime është se gjithmonë ka qenë e kuptueshme” se Ukraina nuk do të pranohet në aleancë.
Ai përsëriti kërcënimet e tij për tarifa kundër Kanadasë dhe Meksikës dhe qëndrimin e tij se Kanadaja duhet të jetë një shtet i SHBA-së. Zoti Trump tha se emri Gjiri i Meksikës do të ndryshojë në Gjirin e Amerikës.
Profesoresha Thessalia Merivakie e Universitetit Georgetown, tha se zoti Trump shpesh i përdor situatat e tilla si pjesë të strategjisë.
“Trump njihet për hedhjen e ideve dhe qëndrimeve të debatueshme për të tërhequr vëmendjen dhe nxitur interes dhe mbulim mediatik”.
POLITIKA E JASHTME
Zoti Trump nuk ka thënë se si Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e Groenlandës, ishullit të madh që është një territor autonom i Danimarkës. Të martën, ai përsëriti qëndrimin e tij se marrja e kontrollit është pjesë e sigurisë ekonomike.
Kur u pyet drejtpërdrejt nëse ai do të angazhohej që të mos përdorte forcën ushtarake ose ekonomike për të marrë kontrollin e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, zoti Trump u përgjigj: “Nuk mund t’ju siguroj për asnjërën nga këto të dyja”.
Zoti Trump e ka akuzuar Panamanë për shkeljen e traktatit sipas të cilit Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga kontrolli i kanalit të famshëm më shumë se katër dekada më parë, nën presidentin e atëhershëm Jimmy Carter.
“Dhënia e kontrollit të kanalit Pamasë ishte një gabim shumë i madh”, tha zoti Trump. “Dhënia e kontrollit në atë mënyrë ishte e pafalshme dhe besoj se kjo është arsyeja pse Jimmy Carter i humbi zgjedhjet.”
Zoti Trump tha se do të “merrte vendime për falje të mëdha” në ditën e parë të marrjes së detyrës. Ai u pyet lidhur me zotimet e mëparshme për faljen e disa prej më shumë se 1500 individëve të akuzuar për krime në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit. Presidenti i ardhshëm përsëriti gjithashtu angazhimet e bëra në të kaluarën lidhur me eliminimin e ‘katrahurës’ së rregulloreve mjedisore për të lehtësuar investimet.
Zoti Trump përsëriti zotimin për nxjerrjen e naftës në vend, duke anuluar urdhrat e fundit të Presidentit Biden për ndalimin e shpimeve në zonat bregdetare. Ai e akuzoi Presidentin Biden për dëmtimin e politikave të jashtme, duke thënë se, “Po marr pushtetin ndërsa bota po digjet”./VOA
(BalkanWeb)