Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sonte vendosjen e tarifave të reja 25% për makinat “jo të prodhuara në Shtetet e Bashkuara”. Siç sqaroi ai, “absolutisht nuk ka tarifë” për makinat e prodhuara brenda vendit. Megjithatë, ende nuk është sqaruar nëse pjesët e makinave do të përjashtohen nga kjo masë e re .
Në të njëjtën kohë, ai iu referua edhe datës historike të 2 prillit, të cilën e ka quajtur “Dita e Çlirimit”. Më pas pritet që të zbatohen disa nga tarifat e shpallura të importit, të cilat ai vetë i ka cilësuar si të nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
Trump pretendoi se ky vendim do të çonte në ” rritje të jashtëzakonshme ” në industrinë amerikane të automobilave, duke premtuar rritje të investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës brenda vendit. “Është një mundësi e madhe për të forcuar prodhimin tonë”, tha ai.
Kur u pyet në një konferencë për shtyp nëse ekzistonte mundësia për të ndryshuar qëndrimin e tij, Trump u përgjigj negativisht: ” Kjo është përfundimtare ,” tha ai.
Megjithatë, sipas BBC, analistët paralajmërojnë se vendosja e tarifave do të çojë në rritje të ndjeshme të çmimeve të makinave, duke goditur markat e njohura si Toyota dhe Hyundai. Në të njëjtën kohë, ata vlerësojnë se kjo lëvizje do të tensionojë marrëdhëniet e SHBA me aleatët kryesorë, si Japonia, Koreja e Jugut dhe Gjermania.
Meksika është aktualisht furnizuesi më i madh i huaj i automobilave në Shtetet e Bashkuara, me Korenë e Jugut, Japoninë, Kanadanë dhe Gjermaninë pas.
Ndihmësi i tij i ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, Will Scharf, sqaroi se masat e reja kanë të bëjnë me makinat dhe kamionët e lehtë të prodhuar jashtë vendit, ndërsa theksoi se këto tarifa janë shtesë të atyre tashmë në fuqi. Sipas Scharf, zbatimi i tarifave të reja pritet të sjellë “më shumë se 100 miliardë dollarë në vit ” në arkat amerikane.
Megjithatë, detajet e dekretit presidencial nuk ishin të disponueshme menjëherë. Shumë prej automjeteve janë të montuara me komponentë që vijnë nga dhjetëra vende të ndryshme, gjë që krijon paqartësi në zbatimin e masës.
Njoftimi bëri bujë në tregje. Pas publikimit të lajmit, aksionet e General Motors ranë më shumë se 4%, Stellantis gati 3%, ndërsa Ford regjistroi humbje prej rreth 1%.
President Donald Trump announces a ‘25% tariff on all cars that are not made in the US.’https://t.co/qrsZoGzHtF
📺 Sky 501, Virgin 602, Freeview 233 and YouTube pic.twitter.com/I2c5KJfxso
— Sky News (@SkyNews) March 26, 2025
(A.A/BalkanWeb)