Presidenti i SHBA, Donald Trump kremton 25 Marsin si Ditën e Pavarësisë së Greqisë, së bashku me Kryepeshkopin Elpidophoros të Kryedioqezës Greke Ortodokse të Amerikës në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, ku mernin pjesë përfaqësues nga organizatat greko-amerikane dhe zyrtarë të kishës.
Administrata Trump ka mbajtur lidhje të forta me komunitetin greko-amerikan. Me të dalë në podium, Trump iu drejtua audiencës, duke thënë: “Ju dua të gjithëve”.
Trump vazhdoi të vlerësojë kontributet e greko-amerikanëve në administratën e tij, duke theksuar se ndërsa bota po përballej me sfida, gjërat janë përmirësuar nën udhëheqjen e tij. Ai shprehu mirënjohjen për greko-amerikanët që punojnë në administratën e tij, duke i quajtur ata “njerëz të mahnitshëm”.
Ai gjithashtu vlerësoi trashëgiminë e qëndrueshme të komunitetit greko-amerikan, duke shtuar: “Ndoshta dhurata më e madhe që kemi trashëguar nga ajo kulturë e mahnitshme është komuniteti ynë i jashtëzakonshëm greko-amerikan që tani është më shumë se tre milionë.”
Presidenti theksoi rëndësinë e grupeve që ndihmuan fushatën e tij si “Grekët për Trump” dhe individë të tillë si Christos Marafatsos dhe deputeti Gus Bilirakis, duke vënë në dukje mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Kryepeshkopi i Amerikës Elpidophoros uroi Trump për fitoren e tij në zgjedhje, duke e krahasuar atë me Perandorin Kostandinin e Madh, një figurë e nderuar në traditën ortodokse greke. Kryepeshkopi i dhuroi Trumpit një kryq ari, që simbolizon lidhjen midis presidentit amerikan dhe trashëgimisë së Kostandinit të Madh, i cili, pas një vizioni hyjnor të kryqit të krishterë, thuhet se është frymëzuar nga fraza “Shko me këtë dhe ji fitimtar”.
Trump prezantoi Kimberly Guilfoyle, ambasadoren e ardhshme të SHBA-së në Greqi, duke e quajtur atë një person shumë të mirë dhe duke deklaruar se ajo përfaqëson në mënyrë të përsosur kulturën greke.
Në fund të ngjarjes, Trump nënshkroi një proklamatë duke shpallur 25 Marsin si “Dita e Pavarësisë Greke: Një Ditë Kombëtare e Festimit të Greqisë dhe Amerikës”.
(BalkanWeb)