Hamasi ka deklaruar sot se kërcënimet e përsëritura të presidentit amerikan Trump kundër palestinezëve janë mbështetje për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që të tërhiqet nga armëpushimi i Gazës dhe të intensifikojë rrethimin e banorëve të enklavës palestineze.

Trump kërkoi dje, të mërkurën që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet tani duke përfshirë trupat përndryshe gjithçka do të marrte fund për ata.

“Mënyra më e mirë për të liruar të burgosurit e mbetur izraelitë është që okupimi të kalojë në fazën e dytë dhe ta detyrojë atë të respektojë marrëveshjen e nënshkruar me mbështetjen e ndërmjetësve”. tha zëdhënësi i Hamasit  Abdel-Latif Al-Kanwa për mediat ndërkombëtare.

Marrëveshja e armëpushimit të Gazës, e cila hyri në fuqi në janar, u negociua nga i dërguari i Trump i cili mori pjesë në proces së bashku me të dërguarit e administratës së mëparshme Biden.
Ai bën thirrje për lirimin e pengjeve të mbetura në një fazë të dytë, gjatë së cilës do të ketë negociata për planet përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.

Faza e parë e armëpushimit përfundoi të shtunën dhe Izraeli që atëherë ka vendosur një bllokadë totale për të gjitha mallrat që hyjnë në Gaza, duke kërkuar që Hamasi të lirojë pengjet e mbetura pa filluar negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Palestinezët thonë se bllokada mund të shkaktojë urinë në mesin e 2.3 milionë njerëzve të cilët jetojnë në rrënojat e Gazës.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: