Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha të premten presidentit rus, Vladimir Putin, të mos përzihet në zgjedhjet amerikane, një shaka në dritën e skandalit që çoi në hetimet gati dyvjeçare të kontakteve të fushatës së tij me Kremlinin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.


I pyetur nga gazetarët nëse do ta shtrojë këtë çështje gjatë takimit me presidentin Putin, presidenti Trump tha “natyrisht që po”.
Presidenti Trump me pas ju drejtua presidentit rus dy herë duke e treguar me gisht dhe duke i thënë “mos u përziej në zgjedhje”. Presidenti rus, vazhdoi të buzëqeshë derisa po ndiqte përkthimin.


Të dy presidentët vazhduan bisedimet në margjinat e takimit të Grupit 20-të që po mbahet në Osaka të Japonisë, takimi i tyre i parë kokë më kokë që nga takimi kundërthënës i Helsinkit në qershorin e vitit të kaluar.


Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin të këqija për disa vite dhe u përkeqësuan pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbështeti presidentin sirian Bashar al-Assad në luftën e Sirisë. Në një intervistë të kohëve të fundit, presidenti Putin tha se marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Washingtonit po bëhen “gjithnjë e më të këqija”.

Nga ana e tij, presidenti Trump ka kërkuar marrëdhënie më të mira me presidentin Putin për të trajtuar një mori çështjesh, duke përfshirë synimin e tij për të frenuar ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Të premten, ai theksoi aspektet pozitive.

“Është nder i madh të jem me presidentin Putin”, u tha ai gazetarëve. “Ne kemi shumë gjëra për të diskutuar, përfshirë tregtinë dhe çarmatimet”.

Ata duhej të takoheshin në fund të nëntorit në takimin G20-tës në Buenos Aires, por presidenti Trump anuloi takimin për shkak të kapjes së anijeve dhe marinarëve ukrainas nga forcat ruse. Të dy presidentët zhvilluan takime jozyrtare në atë takim si dhe në një drekë në Paris më herët gjatë nëntorit, derisa po shënohej përvjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Rusia ndodhet nën sanksione ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe kërkon heqjen e tyre.

Kritikët e presidentit Trump e kanë akuzuar atë se është shumë miqësor me presidentin Putin dhe e kanë sulmuar atë për dështimin që ta përballë publikisht udhëheqësin rus në Helsinki lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikanë të vitit 2016.