Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do ta shtyjë fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit derisa mes tij dhe Kongresit të gjendet një zgjidhje lidhur me mbylljen e pjesshme të agjencive qeveritare. Fillimisht zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë njoftuan rreth planeve për të gjetur një vend tjetër, përfshirë një tubim politik për mbatjen e fjalimit, por presidenti tha se nuk parashikon ta mbajë atë derisa qeveria të hapet.

Në një postim në Twitter të mërkurën vonë Presidenti Trump shkruante se nuk po kërkon një vend alternativ për mbatjen e fjalimit të tij. Me tej ai shkruante se shpresonte të mbante një fjalim të jashtëzakonshëm mbi gjendjen e vendit në një të ardhme të afërt.

Por më herët të mërkurën, Presidenti Trump sulmoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që nuk e kishte ftuar siç shprehej ai, për të mbajtur fjalimin vjetor në Kongres parashikuar për datën 29 janar.

“Nancy Pelosi… ose Nancy…sikurse e quaj unë, nuk dëshiron të dëgjojë të vërtetën dhe mbi të gjitha nuk do që amerikanët të dëgjojnë të vërtetën. Sapo mësuam se ajo e anuloi fjalimin dhe mendoj se kjo është një njollë e madhe për vendin tonë të jashtëzakonshëm që të gjithë e duam”.

Por zonja Pelosi tha se në tavolinë ka qenë gjithmonë një ofertë për zotin Trump që ai të mbante fjalimin në Kongres në rast se rihapte qeverinë.

“Qeveria është e mbyllur, siç e thashë shumë qartë që nga fillimi. I shkruajta Presidentit për herë të dytë për t’i thënë se qeveria është e mbyllur, por le të punojmë së bashku për një datë mbi të cilën të dakortësohemi dhe do t’ju mirëpresim në Kongres për të mbajtur fjalimin. Qeveria vazhdon të jetë e mbyllur, por oferta mbetet,”- tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Zoti Trump ka refuzuar të rihapë qeverinë përjashtuar rastin nëse zonja Pelosi dhe demokratët plotësojnë kërkesën e tij për një fond prej 5.7 miliardë dollarësh për ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit. Ndërkohë 800 mijë punonjës federalë janë futur në javën e pestë të lejes së detyruar dhe janë në prag të mos marrjes së pagës për 15 ditëshin e dytë të muajit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb