Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të martën se delegacioni amerikan dhe ai kinez do të rifillojnë bisedimet tregtare, pas një ndërprerjeje të gjatë. Ai tha se për këtë ka biseduar edhe me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe se ekipet e të dy udhëheqësve do të aranzhojnë përgatitjet për një takim mes tyre në kuadër të samitit G20 që do të mbahet këtë muaj në Japoni.


“Kam pasur një bisedë të mirë telefonike me presidentin kinez. Do të kemi një takim të zgjeruar javën tjetër në Japoni”, ka shkruar presidenti Trump në Twitter. Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë në mesin e një lufte tregtare, e cila ka shkaktuar presion mbi tregjet financiare botërore.


Bisedimet midis të dy palëve për të arritur një marrëveshje të gjerë u ndërprenë muajin e kaluar. Pavarësisht kërcënimeve se do të përshkallëzojë luftën tregtare përmes tarifave të reja, presidenti Trump edhe më herët ka shfaqur dëshirën, që të takojë homologun kinez, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje.


Pala kineze ende nuk e ka konfirmuar nëse do të mbahet takimi, në kuadër të samitit të 20 vendeve më të zhvilluara të botës.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: