Presidenti Donald Trump kritikoi të enjten zërat në radhët e demokratëve rreth mundësisë për të nisur procedurën për shkarkimin e tij si rezultat i hetimeve mbi ndikimin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ai tha se nuk ka bërë asgjë për të merituar një gjë të tillë.

Komentet zoti Trump i bëri në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për një udhëtim drejt Kolorados. Një ditë më parë Prokurori i Posaçëm Robert Mueller tha se “nuk kishte prova të mjaftueshme” për të akuzuar presidentin për konspiracion gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, por shtoi se “hetimet po ashtu nuk arritën në përfundimin se presidenti nuk ka kryer asnjë lloj shkeljeje”. “Nëse do të ishim të bindur se presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje do ta kishim thënë këtë”, tha zoti Mueller.

Në raportin e zotit Mueller përmenden disa raste të mundshme që presidenti mund të akuzohet për pengim drejtësie. Në një reagim pas kësaj deklarate, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e cila ndodhet nën presionin e disa demokratëve që përkrahin nisjen e procedurës për shkarkimin e presidentit, tha se “asgjë nuk është hequr tavolina”. I pyetur nëse e pret një gjë të tillë, presidenti Trump tha se “nuk sheh asnjë mundësi se si ata mund ta bëjnë këtë. Është një çështje e pistë, e ndyrë dhe neveritshme … është një presion agresiv ndaj presidencës”, tha ai.

Zoti Trump tha gjithashtu se zoti Mueller si prokuror ishte në “konflikt” duke vënë në dukje se ai është një mik i ngushtë i ish-drejtorit të FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e shkarkoi disa javë pasi mori detyrën, në fillim 2017.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb