Presidenti amerikan Donald Trump e quajti mashtrim procesin e impiçmentit ndaj tij, duke theksuar se nuk do të brengoset shumë për gjykimin e gjatë në Senatin e SHBA-së.

Gjatë adresimit para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pasi që Komiteti Juridik i Dhomës së Përfaqëuesve aprovoi dy akuza kundër tij, Trump denoncoi gjithë procesin duke e quajtur “të turpshëm”.

“Kjo me të vërtetë është një gjë shumë e trishtueshme për vendin tonë, por duket se politikisht do të jetë shumë e mirë për mua”, tha Trump, duke shtuar se i është rritur popullariti pas zhvillimeve rreth impiçmentit.

Ai theksoi se dëshiron të shohë informatorët ende të pazbuluar, për ankesat e të cilëve demokratët inicuan impiçmentin.

Komisioni Jurdik i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së aprovoi të premten dy nene në procesin e impiçmentit të Trump-it, që ka të bëjë me pengimin e Kongresit dhe shpërdorimin e detyrës.

Pas diskutimit dyditor, me 23 vota pro dhe 17 kundër, u pranuan dy nene në procesin e impiçmentit. Të gjithë demokratët votuan pro, ndërsa republikanët kundërshtuan vendimin që tani shkon para Dhomës së Përfaqësuesve për votim.

Nëse edhe Dhoma e Përfaqësuesve pranon gjithashtu të paktën një nga akuzat, kjo do të pasohej nga një proces në Senat ku presidenti amerikan do të përballej me akuza në një mjedis të ngjashëm me një gjykim.

Ende nuk dihet se kur do të zhvillohet votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, por pritet të ndodhë përpara pezullimit të Kongresit për shkak të festave të Krishtlindjeve javën e ardhshme.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb