Donald Trump ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau. Vendimi i këtij të fundit erdhi 2 javë para se Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë dhe të marrë zyrtarisht detyrën e presidentit të SHBA. Marrëdhëniet e Trump me Trudeau nuk kanë qenë më të mirat kohët e fundit. Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa 25% për të gjitha importet nga Kanadaja.
Ndërkohë sot Trudeau tha se ai do të qëndrojë si kryeministër derisa të zgjidhet pasardhësi i tij.
Nga ana tjetër Trump ka zgjedhur të thumbojë Trudeaun përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth”.
“Shumë njerëzve në Kanada u pëlqen të jenë shteti i 51-të. Shtetet e Bashkuara nuk mund të vuajnë më nga deficitet dhe subvencionet masive tregtare që Kanadasë i duhen për të qëndruar në këmbë. Justin Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen,” tha Trump.
“Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të uleshin shumë dhe ato do të ishin të sigurta nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë Kombi i madh do të ishte!!!”, përfundoi postimin e tij, Trump.
(BalkanWeb)