Në një kohë kur ekonomia globale është më e ndërlidhur se kurrë, proteksionizmi mund të duket si një strategji kundërproduktive. Sidoqoftë, administrata e Donald Trump ka vendosur sërish në qendër të politikës së saj ekonomike tarifat doganore, një mjet që historikisht ka shkaktuar mungesë stabiliteti në arenën ndërkombëtare. Por çfarë do të thotë kjo për ekonominë globale dhe rregullat e tregtisë ndërkombëtare?

Sipas një studimi të J.P. Morgan Research, probabiliteti i një recesioni global këtë vit është rritur në 40%, nga 30% në fillim të 2025-ës. Tregjet po përballen me pasiguri të madhe për shkak të konfliktit tregtar në rritje, ndërsa historiku i tarifave të SHBA-së gjatë viteve 2018–2019 tregon se kostoja u përballua kryesisht nga konsumatorët amerikanë, duke shkaktuar dëme si në SHBA ashtu edhe globalisht.

Për më tepër, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëron se një rritje e përgjithshme prej 10% e tarifave të SHBA-së, e ndjekur nga një kundërpërgjigje nga BE dhe Kina, mund të ulë Prodhimin e Brendshëm (PBB) global me 0.5% deri në 2026. Duke marrë parasysh se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që PBB-ja globale do të arrijë rreth 117 trilionë dollarë në fund të vitit 2024, ku ekonomia amerikane dhe kineze përbëjnë pak më pak se gjysmën e ekonomisë botërore me një vlerë prej 30 trilionë dhe 19.5 trilionë dollarësh respektivisht, një rënie prej 0.5% do të përkthehej në një humbje prej afërsisht 585 miliardë dollarësh.

Tarifat e Trump nuk janë thjesht masa ekonomike apo politike; ato përbëjnë një sfidë serioze për rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe rendin ndërkombëtar ekonomik. Proteksionizmi minon arkitekturën ekzistuese të tregtisë së lirë dhe i hap rrugën një epoke të re të konflikteve ekonomike. Për më tepër, duke vendosur tarifa të njëanshme pa negociata të plota, SHBA rrezikon të krijojë precedentë të rrezikshëm, ku vendet e tjera mund të ndjekin të njëjtën rrugë, duke dobësuar sistemin e tregtisë globale.

Natyrshëm, lind pyetja se si do të reagojnë partnerët ekonomikë të SHBA-së dhe kush ka për të përfituar ose humbur më shumë nga këto zhvillime? BE, një ndër partnerët kryesorë të SHBA-së, ka paralajmëruar tarifa për mallrat amerikane me vlerë 26 miliardë euro, duke përfshirë produkte si çeliku, alumini dhe motorët. Megjithatë, disa zëra brenda Bashkimit Evropian këshillojnë kundër një reagimi të nxituar dhe kanë bërë thirrje që, ashtu si Meksika, Japonia dhe Koreja e Jugut, shtetet evropiane të vlerësojnë reagimin e tyre me qetësi.

I njëjti qëndrim pritet të mbahet edhe nga Britania e Madhe, e cila eksporton rreth 58 miliardë paund mallra në SHBA. Ndërkohë që tarifat e Trump mund të dëmtojnë sektorë kyç si industria farmaceutike dhe automjetet, qeveria britanike duket se po ndjek një qasje më të qetë, duke shmangur reagimet e menjëhershme. Objektivi i saj është arritja e një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në, por mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë e mundur.

Ndërkohë, Kina, një ndër lojtarët më të mëdhenj në këtë luftë tregtare dhe me një suficit rekord prej 1 trilion dollarësh në 2024, ka një qasje të dyzuar ndaj zhvillimeve të fundit tregtare. Pekini është përgjigjur me tarifa të veta ndaj mallrave amerikane dhe me masa kufizuese ndaj kompanive amerikane në sektorë strategjikë.

Por është e qartë që kjo luftë tregtare nuk e ndihmon Pekinin për sa kohë që ekonomia kineze vazhdon të jetë në vështirësi dhe tarifat rrezikojnë bilancin e saj pozitiv. Tentativat e qeverisë kineze për të nxitur konsumin e brendshëm për të parandaluar këtë skenar nuk kanë dhënë rezultatin e duhur. Po ashtu, lufta për dominimin e teknologjisë së çipeve, e intensifikuar nga sanksionet e SHBA-së, ka thelluar më tej cenueshmërinë e sektorëve kyç të industrisë kineze, duke e bërë ekonominë e saj më të ndjeshme ndaj tronditjeve të jashtme.

Pra, një aspekt kritik në këtë luftë tregtare vazhdon të mbetet industria e teknologjisë, veçanërisht prodhimi dhe shpërndarja e mikroprocesorëve. SHBA ka vendosur kufizime të rrepta ndaj Kinës për aksesin në teknologjitë avancuara të prodhimit të gjysëmpërçuesve, duke ndaluar eksportin e disa llojeve të caktuara të mikroçipeve të avancuar. Kjo goditje prek drejtpërdrejt sektorë kyç të ekonomisë kineze, si inteligjenca artificiale, prodhimi i elektronikës dhe automobilave elektrikë.

Industria kineze e teknologjisë ka varësi të lartë nga furnizimet amerikane dhe të partnerëve të saj në Tajvan, Japoni dhe Korenë e Jugut. Kufizimet e reja mund të dobësojnë aftësinë e Kinës për të zhvilluar teknologji të reja dhe mund ta detyrojnë Pekinin të investojë në alternativa vendase, gjë që do të marrë kohë dhe burime të konsiderueshme. Për më tepër, ndërprerja e furnizimeve me çipe të avancuar mund të zvogëlojë aftësinë konkurruese të kompanive kineze në tregun global, duke e bërë ekonominë kineze më të brishttë ndaj presioneve të jashtme.

Në këtë situatë, BE-ja dhe vende të tjera në rajon si Koreja e Jugut, India dhe Japonia mund të luajnë një rol kyç si ndërmjetës ose si partnerë të rinj për Kinën në skenën tregtare globale. Por edhe këtu, situata gjeopolitike e Kinës dhe ambiciet e saj territoriale, si dhe mosdakordësitë diplomatike me këto vende, e bëjnë pothuajse të pamundur zëvendësimin e tregut amerikan me alternativa të tjera, të paktën në një horizont të shkurtër kohor.

Për sa i përket SHBA-së, në vend që të fuqizojnë ekonominë amerikane, tarifat e Trump mund ta dëmtojnë atë. J.P. Morgan Research ka ulur parashikimin për rritjen reale të PBB-së në SHBA për 2025 në 1.6%, një ulje prej 0.3% për shkak të pasigurive tregtare. FMN parashikon gjithashtu se rritja e tarifave do të reduktojë PBB-në e SHBA-së me 1% deri në vitin 2026. Për më tepër, analistët ekonomikë paralajmërojnë për një rrezik të shtuar të stagflacionit, një kombinim i inflacionit të lartë dhe rritjes së ngadaltë ekonomike.

Atëherë si mund të kuptojmë shpalljen e kësaj lufte tregatare nga e cila me sa duket asnjë vend nuk del i fituar? Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë se shtetet shpesh janë të gatshëm të sakrifikojnë interesat ekonomike për interesa madhore të sigurisë kombëtare. Pikërisht ky parim e shtyn administratën amerikane, e cila e sheh si të domosdoshme kalimin nëpër këtë kalvar ekonomik për të siguruar atë që Trump dhe anëtarët e kabinetit të tij e shohin si përforcim afatgjatë të kushteve gjeopolitike dhe gjeoekonomike të vendit, në kurriz të shteteve të tjera—aleat apo kundërshtarë—ekonomia e të cilëve relativisht në krahasim me atë amerikane, do të vuaj më shumë. Kjo, të paktën është teoria. A do të japi kjo teori rezultatet e dëshiruara nga Trump dhe administrata e tij? Kjo mbetet për t’u provuar.

*Drejtues i Programit për Qeverisjen e Inteligjencës Artificiale në Institutin e Qeverisjes Globale në Bruksel 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: