Kandidati republikan për president, Donald Trump, do të rikthehet më 5 tetor në Butler të Pennsilvanisë, vendi ku u krye atentati i parë ndaj tij, më 14 korrik të këtij viti.
Fushata e Donald Trumpit ka njoftuar zyrtarisht planet e ish-presidentit për t’u kthyer në një tubim në Butler, raporton CNN.
“Presidenti Donald J. Trump do të kthehet në Butler, Pensilvani për të mbajtur një tubim në të njëjtin terren ku për çerek centimetri gati humbi jetën, më pak se tre muaj më parë”, thuhet në një njoftim të fushatës.
“Gjatë vizitës së tij, presidenti Trump do të nderojë Corey Comperatore, i cili sakrifikoi heroikisht jetën e tij për të mbrojtur gruan dhe vajzat e tij nga plumbat në atë ditë të tmerrshme. Presidenti Trump do të njohë edhe dy amerikanët e tjerë që u plagosën nga sulmuesi, David Dutch dhe James Copenhaver. Ai do të shprehë mirënjohjen e tij të thellë për zbatuesit e ligjit dhe reaguesit e parë, dhe do të falënderojë të gjithë komunitetin për ofrimin e dashurisë dhe mbështetjes pas sulmit”, thuhet më tej në njoftimin e fushatës.
Më 14 korrik, Trumpi është plagosur në veshin e tij të djathtë, kur një sulmues ka gjuajtur me armë në drejtim të tij, teksa po fliste në një tubim në Butler të Pensilvanisë. Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit.
Sulmuesi më pas është vrarë nga Shërbimi sekret që ishte i angazhuar në mbrojtjen e ish-presidentit.