Kandidati republikan për president Donald Trump ka eskaluar me sulmet e tij personale ndaj rivales së tij demokrate, Kamala Harris, të dielën, duke përsëritur një fyerje se ajo është një “e dëmtuar mendore”, ndërsa ka shtuar se ajo duhet “të fajësohet dhe të ndiqet penalisht”.
Në një tubim në Erie të Pensilvanisë të dielën, Trumpi ka thënë se Harrisi ishte përgjegjëse për një “pushtim” në kufirin SHBA-Meksikë dhe se “ajo duhet të fajësohet dhe të ndiqet penalisht për veprimet e saj”.
“Joe Biden i shtrembër u bë keq mendërisht. E trishtueshme. Por gënjeshtarja Kamala Harris, sinqerisht, besoj se ajo ka lindur kështu. Ka diçka që nuk shkon me Kamala. Dhe thjesht nuk e di se çfarë është, por patjetër që diçka mungon. Dhe ju e dini çfarë është, të gjithë e dinë atë”, ka deklaruar Trump, raporton AP.
Kur kanë mbetur gati vetëm një muaj deri në zgjedhje, Trumpi po intensifikon përdorimin e sulmeve personale dhe ofenduese, edhe pse disa republikanë thonë se do të ishte më mirë që ai të përmbahej në këtë aspekt.