Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol tha të hënën se vendosja aktuale e trupave të Koresë së Veriut në vijat e para të luftës në Ukrainë mund të vijë më shpejt se sa pritej.
Reagimet e Yoon erdhën gjatë një telefonate që Presidenti koreano-jugor zhvilloi me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Yoon ndau informacion mbi dërgimin e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, duke thënë se dislokimi aktual i trupave në Ukrainë ishte një situatë e rëndë që mund të ndodhte më shpejt se sa pritej.
Yoon tha se Koreja e Jugut shpreson të kërkojë “kundërmasa praktike” me BE-në dhe vendet anëtare dhe do të dyfishojë përpjekjet për të monitoruar dhe bllokuar “shkëmbimet e paligjshme” midis Rusisë dhe Koresë së Veriut.
Ndërkohë në një njoftim zyrtar të Komisionit Europian, thuhet se von der Leyen dhe Yoon diskutuan përparimin e bërë në Partneritetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të shpallur në Samitin BE-Kore në maj 2023 në Seul. Ata mirëpritën nisjen e tij të afërt.
Ky partneritet nënvizon natyrën e ndërlidhur të sigurisë së Evropës dhe Azisë Lindore. Ai do të përforcojë angazhimin e përbashkët të BE-së dhe Republikës së Koresë për të promovuar paqen dhe stabilitetin në të dy rajonet.
Nisja e këtij partneriteti është në kohën e duhur dhe logjika e tij është më e vlefshme se kurrë, theksoi presidentja von der Leyen gjatë thirrjes.
Kjo sepse për herë të parë, ushtarët e Koresë së Veriut vendosen në mbështetje të luftës së agresionit të Rusisë.
Koreja e Veriut gjithashtu po ofron gjithnjë e më shumë ndihmë vdekjeprurëse për Rusinë. Kjo përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm të luftës kundër Ukrainës dhe kërcënon paqen globale, tha presidentja von der Leyen.
Presidentja von der Leyen e siguroi Presidentin Yoon se përgjigja e BE-së ndaj këtij zhvillimi do të përqendrohet në bashkëpunimin me Republikën e Koresë dhe partnerë të tjerë me të njëjtin mendim.
Presidentja von der Leyen shprehu gjithashtu shqetësimin e BE-së në lidhje me thellimin e bashkëpunimit ushtarak Rusi-Kore e Veriut, i cili mund të inkurajojë Phenianin për të rritur më tej tensionet në gadishullin Korean.
Në fund, von der Leyen tha se priste me padurim takimin me Presidentin Yoon në Bruksel me rastin e Samitit të ardhshëm BE-Kore, në një kohë ende për t’u përcaktuar.
Dërgimi i trupave të Koresë së Veriut është një “çështje kritike që përkeqëson luftën tashmë të zgjatur në Ukrainë”, tha von der Leyen sipas zyrës së Yoon dhe falënderoi Korenë e Jugut për vendimin e saj për të dërguar një delegacion qeveritar në BE për të ndarë informacionin.