Bregu i Fildishtë ka bërë të ditur se trupat ushtarake franceze do të tërhiqen nga ky shtet i Afrikës Perëndimore, duke zvogëluar kështu ndikimin ushtarak të ish-fuqisë koloniale në rajon.
Në adresimin vjetor, presidenti i Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, ka thënë se ky vendim është reflektim i modernizimit të forcave të armatosura të shtetit.
Ndaras, Senegali, i cili muajin e kaluar ka bërë të ditur se Franca do t’i mbyllë bazat ushtarake në territorin e tij, ka konfirmuar se tërheqja do të kompletohet në fund të vitit 2025.
Në Bregun e Fildishtë është i pranishëm kontingjenti më i madh i trupave ushtarake franceze në Afrikën Perëndimore.
Aty janë rreth 600 ushtarë, ndërsa 350 të tjerë në Senegal.
“Kemi marrë vendim në mënyrë të bashkërenduar për tërheqje të forcave franceze nga Bregu i Fildishtë”, ka thënë presidenti Ouattara.
Ai ka thënë se një batalion ushtarak, që drejtohet nga ushtria franceze, do t’iu dorëzohet trupave vendore.
Franca, rregulli kolonial i së cilës ka përfunduar në vitet ’60 në rajonin e Afrikës Perëndimore, veçse i ka tërhequr ushtarët nga Mali, Burkina Faso dhe Nigeri, pas puçeve ushtarake në këto shtete, dhe rritjes së sentimentit kundër Francës.
Këto tri vende i kanë forcuar lidhjet me Rusinë, prej kur i kanë dëbuar trupat ushtarake prej rajoneve të tyre.
Qeveria e Çadit – aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër militantëve islamikë në rajon – i ka dhënë fund papritur bashkëpunimit me Francën në nëntor.
Ka sinjale se Franca ka më pak se 2.000 trupa në Xhibuti dhe Gabon.
Vëzhguesit politikë besojnë se Franca është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të rikthyer ndikimin politik dhe ushtarak në Afrikë.
Për më shumë se tri dekada pas pavarësimit nga Franca, Bregu i Fildishtë është njohur për harmoninë fetare dhe etnike, si dhe ekonominë e zhvilluar mirë.
Megjithatë, një rebelim i armatosur më 2002 e ka ndarë shtetin në dysh.
Pavarësisht jostabilitetit aktual, Bregu i Fildishtë është eksportuesi më i madh i kokrrave të kakaos, dhe qytetarët e vet gëzojnë të hyra më të mira, në krahasim me vendet tjera në rajon./Rel/