TIRANE-Trupa gjykuese e të pandehurit Kastriot Ismailaj ka kërkuar dorëheqjen nga çështja. Pas 5 kërkesave të Kastriot Ismailaj për të përjashtuar trupin gjykues që po gjykon çështjen e tij, trupa gjyqësore ka paraqitur vetë dorëheqjen. Gjatë seancës së të premtes, kryesuesja e trupës gjykuese, Vjollca Spahiu njoftoi se ajo dhe dy anëtarët e tjerë i kanë paraqitur kryetarit të Gjykatës së Tiranës dorëheqjen nga gjykimi i Kastriot Ismailajt duke argumentuar kërkesat e shumta të të pandehurit për të përjashtuar trupin gjykues. Ende nuk ka një përgjigje nga Gjykata e Tiranës për kërkesën e trupës gjykuese për t’u tërhequr.

Nëse kryetari i gjykatës do të pranojë dorëheqjen e gjyqtarëve të Ismailajt, atëherë automatikisht trupa e re e gjyqtarëve që do të zgjidhet do të duhet ta rinisë procesin nga fillimi, çka nënkupton zvarritje të mëtejshme të këtij procesi, i cili deri më tani ka më shumë se 10 muaj që zhvillohet.

Më herët, avokati i Ismailajt deklaroi se trupa gjykuese është e njëanshme. “Nuk kam besim tek ky trup gjykues. Jeni të njëanshëm”, ka pohuar përfaqësuesi ligjor i Ismailajt.

Kastriot Ismailajn akuzohet për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë. Sipas organit të akuzës, Ismailaj me anë të falsifikimit e mashtrimit ka arritur të përvetësojë nga kompania CEZ-shpërndarje rreth 5 mln euro.

(d.d/BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb