Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas sërish ka ritheksuar qëndrimin kundër të shtetit të tij ndaj kritikave që ka bërë Franca për NATO-n, duke paralajmëruar se “as Gjermania e as Evropa, nuk do të jenë në gjendje që ta mbrojnë vetën në mënyrë efektive”, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara.


Këto komente vijnë në kohën kur Uashingtoni po bën presion që shtetet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen.


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë kësaj jave deklaroi për ‘The Economist’ se “truri i NATO-s ka vdekur”, duke sugjeruar që Evropa duhet të marrë në duart e saj çështjen e sigurisë dhe nuk duhet të varet nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur aleatët e saj.


“Do të ishte gabim nëse e minojmë NATO-n”, tha Maas për Der Spiegel. Më herët, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar Macronin për deklaratën e tij për NATO-n.

Ministri gjerman, Maas po ashtu pranoi se evropianët duhet të ndërtojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse. “Prandaj, së bashku me Francën, ne po punojmë për të ndërtuar një Evropë që punon së bashku për politikat e sigurisë”, është shprehur ai. Presidenti i SHBA, Donald Trump vazhdimisht ka kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të kontribuojnë më shumë për mbrojtje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb