TIRANE– Përmes një postimi në Facebook, deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj thotë se ka marrë pjesë në një tryezë diskutimi me eurodeputetin Knut Fleckenstein, por sipas saj tryeza ishte tërësisht e njëanshme dhe opozita nuk ishte e ftuar si e barabartë. Mehemetaj shprehet se BE i ka vendosur Shqipërisë si kushtin më kryesor luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotrafikut për hapjen e e negociatave.

Statusi i plotë:

Sot isha e ftuar në një tryezë diskutimi me Eurodeputetin Fleckenstein dhe një përfaqësi të vogël diplomatike. Së pari, duhet të theksoj se tryeza ishte tërësisht e njëanshme dhe opozita nuk ishte e ftuar si e barabartë në një diskutim që duhet të përfshijë të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare.

Së dyti, përtej urimeve pa kuptim në këtë moment post vendimit që nuk mori Këshilli i Europës, duhet të reflektojmë mbi ato që janë shkruar e zeza në të bardhë në dokumentin e miratuar nga Këshilli.

Për herë të parë pas kaq shumë vitesh përpjekje për anëtarësim, BE na vendos si kushtin më kryesor: luftën ndaj krimit të organizuar dhe narkotrafikut. Ka vetëm një përgjegjës për këtë situatë dhe ky është Edi Rama.

Reforma në Drejtësi e nisur me frymën e konsensusit, u vra që në fillim të këtij mandati qeverisës, duke zgjedhur përfaqësues të njëanshëm në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke nxjerrë jashtë funksionit Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e lartë.

Këshilli kërkon rezultate në krijimin e institucioneve të drejtësisë: ngritjen e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat me lëvizjet e njëanshme të mazhorancës kanë zero shans të krijohen brenda afateve.

Azilkërkuesit shqiptarë, që kanë zënë vendin e parë në Francë krahasuar edhe me vende si Siria , që janë në luftë ose varfëri ekstreme, janë edhe arsyeja kryesore që Franca nuk e dha dritën jeshile për hapjen e negociatave. Nga qeveria nuk ka asnjë reagim. Përkundrazi Kryeministri e thotë me zë e figurë që ska asnjë shqetësim që shqiptarët po ikin.

Nga ana tjetër, dokumenti i miratuar nga KE qartazi thotë që asnjë vendim nuk është marrë. Vendimarrja për hapjen apo jo të negociatave do të ndodhë në 2019-n, pasi vendimi të kalojë paraprakisht në parlamentet nacionale të vendeve anëtare të BE dhe vetëm nëse, gjithmonë nëse, Shqipëria plotëson listën e gjatë të kushteve të vendosura.

Çdo interpetim i ndryshëm nga ky, është hi i hedhur syve të shqiptarëve dhe festë që tenton të mbulojë dhimbjen e qytetarëve.

Ne jemi mësuar që nga Bashkimi Europian të marrim vlerat më të mira të solidaritetit, transparencës dhe gjithpërfshirjes. Çdo mision që synim ka të fshehë dhe deformojë të vërtetën nuk i bën mirë as BE dhe aq më pak Shqipërisë.

Edhe njëherë kam një ftesë miqësore për diplomatët dhe përfaqësuesit e BE të çdo niveli, kërkoni që në çdo tryezë apo diskutim që merrni pjesë të garantohet gjithëpërfshirja dhe paanshmëria. Ju që të parët apeloni për dialog, duhet të jeni të parët që në diskutim të ulni të gjithë palët.

Knut Fleckenstein European Union in Albania

Në këtë link gjeni dokumentin e miratuar nga Këshilli i Europës.

http://data.consilium.europa.eu/…/document/ST-10555-…/en/pdf

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: