Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Fqinjët tanë të jugut zgjodhën me zgjuarsi. Votuan shtatë ditë më parë njeriun që u ngjalli shpresat se ekonomia dhe dinjiteti i tyre mund të ngrihej, pas 5 vitesh skëterre, plot stres e nganjëherë dhe humbje të perspektivës. Ekipi drejtues që Tsipras solli në qeverisjen e vendit për gjashtë muajt e fundit (përpara se sa të jepte dorëheqjen), me gjithë mungesën ulëritëse të eksperiencës, gafat dhe vrazhdësinë në komunikim me partnerët e huaj, tregoi pastërti, ndershmëri dhe idealizëm në përpjekjet që bëri në vend për të ndryshuar diçka në ngrehinën e frikshme greke të kapjes së shtetit dhe skandaleve të korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjeve të mëparshme. Grekët panë kryeministër e ministra pa kollare, por me vizion e moral për t’i ndihmuar realisht qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, në periudhën më të vështirë që nga koha e regjimit të kolonelëve. Duke qenë relativisht të rinj dhe pa fare eksperiencë në pushtet, ministrat e Tsipras lanë shenjë te qytetarët e tyre, duke provuar mos ulnin abuzimin dhe evazionin e tmerrshëm fiskal, që me dekada kishte gërryer fuqitë e shtetit fqinj. Edhe pse dështuan, edhe pse në bisedimet me Bashkimin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar u sollën si aventurierë dhe në marrëveshjen e fundit humbën më shumë se sa vetë Brukseli u ofroi dy javë më parë nënshkrimit të saj, grekët u besuan sërish drejtimin e vendit. Do të ishte bukur nëse ministër i Financave të vendit fqinj vjen sërish pikërisht ai që u dorëhoq i pari nga qeveria ‘Tsipras 1’, Janis Varufakis, njeriu i ideve në dukje të çuditshme për të luftuar evazionin fiskal, por që mund të kishin shndërruar ekonominë greke në një ekonomi ku qeveria ia mblidhte më në fund oligarkisë abuzive financiare dhe miliarderëve, që ishin bërë të tillë duke mashtruar shtetin. Cilido që të vijë, qeveria ‘Tsipras 2’ do të jetë një luftëtare e paepur për të sjellë në arkën e shtetit grek çdo euro nga miliardat, që buxhetit të fqinjit i ikin prej një evazioni fiskal ndër më të mëdhenjtë e kontinentit. Sprova e kësaj qeverie do t’i ngjajë disi tani sprovës dhe betejës që ka hapur qeveria e sotme shqiptare kundër informalitetit dhe që shpresojmë të vijojë gjatë e të mos na lodhen rrugës këta reformatorë. Agjentët specialë që sot po nxjerr në terren qeveria jonë ngjajnë pak me studentët e kamufluar në rolin e tatimorëve, që Varufakis mendonte të angazhonte për të zhbiruar evazionin. Qeveria ‘Tsipras 2’ do të jetë entuziaste dhe me më shumë eksperiencë, për të mos përsëritur gabimet e porsabëra në qeverisjen e parë janar-korrik 2015, sidomos në ekonomi. Një qeveri e qëndrueshme greke, e përkushtuar seriozisht dhe me ndershmëri për të shëndoshur buxhetin e shtetit të vendit fqinj, i shërben shumë edhe ekonomisë sonë, të lidhur ende me mijëra fije me sipërmarrësit dhe qytetarët grekë. Jo vetëm pse kemi me qindra mijëra emigrantë aty, që janë tashmë integruar në shoqërinë greke, por se një rigjallërim i pritshëm i biznesit grek, sidomos në zonat në jug të vendit, është mëse i mirëpritur në këtë gjendjen tonë pranë mosrritjes ekonomike. Rizgjedhja e Tsipras në krye të qeverisë është dhe një mesazh i qartë për partnerët evropianë se me gjithë mungesën e eksperiencës dhe gafat e gabimet e së shkuarës së afërt, populli grek pa tek “aguridhi pa kollaro” idealistin që mund ta drejtonte me ndershmëri dhe forcë drejt një të ardhmeje më të mirë, drejt rilindjes greke. Kjo që po ngjet me fqinjin tonë do t’i bëjë mirë edhe ekonomisë sonë. Është lajmi më i mirë që mund të na vinte nga rajoni. Kemi menduar se shumë gjëra na ndajnë me fqinjin jugor në mijëvjeçarë, por lufta kundër evazionit fiskal dhe për moskapjen e shtetit nga megakompanitë na bashkon dhe shumë fort.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: