ATHINE – Kryeministri grek Aleksis Tsipras do të jetë sot në Romë, ku do të takohet me homologun e tij italian, Matteo Renzi. Në Athinë dominon kënaqësi për deklaratat e zotit Renzi në prag të takimit me zotin Tsipras. Matteo Renzi deklaroi se “duam ta transferojmë diskutimin për politikën ekonomike, nga shtrëngesa, në kahun e zhvillimit dhe investimet”, ç’ka në Athinë u vlerësua se “përbën një terren të përshtatshëm për një diskutim produktiv midis kryeministrit të Greqisë dhe atij të Italisë”.

Sipas burimeve qeveritare, Tsipras pritet t’i theksojë Renzit se “jemi të gatshëm të avancojmë në reforma në kahun e ekuilibrit fiskal dhe të drejtësisë sociale” dhe paralelisht të nënvizojë faktin se kjo kërkon edhe kohë edhe hapësirë. Gjithashtu kryeministri grek pritet t’i nënvizojë homologut italian se “kthesa drejt zhvillimit dhe investimeve nuk mund të ekzistojë përmes trojkës”, e cila vë pengesa dhe se “më në fund Europa duhet t’u besojë institucioneve dhe organeve të veta”.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: