Në Bohinj të Sllovenisë më 16 prill, 2016. Rreth 150 kajakistë kanë hapur siparin e “Turit të lumenjve të  Ballkanit” në lumin Sava në Slloveni. Udhëhequr nga ish-sportisti olimpik slloveni Rok Rozman, kajakistë nga e gjithë Evropa, përgjatë 35 ditëve të ardhshme, do të lundrojnë në lumenjtë më mahnitës dhe njëkohësisht më të kërcënuar të Ballkanit.

Ky është organizimi i parë i këtyre përmasave në Evropë. Me këtë turne, ata janë duke mbajtur një qëndrim të qartë kundër “cunamit” aktual të ndërtimit të digave: rreth 2700 hidrocentrale janë parashikuar të ndërtohen që nga Sllovenia deri në Shqipëri.

Sinjali i startit të këtij turi u dha duke filluar në liqenin Bohinj në Parkun Kombëtar Triglav, nëpërmjet të cilit kalon dega kryesore e lumit Sava. Në liqen, kajakistët pozuan pranë mesazhit “Të shpëtojmë lumenjtë tanë – të ndalojmë digat”.

Në pesë javët në vijim, kajakistët do të vozisin në 18 lumenj të ndryshëm duke nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria. Ngjarje të veçanta janë planifikuar në shumë segmente të lumenjve për të mbështetur iniciativat lokale në luftën e tyre kundër projekteve të ndërtimit të HEC-eve.

“Ky aktivitet unik tregon se Lumenjtë e Ballkanit janë diçka më shumë se vetëm furnizuesit me megavat/orë. Ata janë “linjat e jetës” që ofrojnë vlerë rekreative për njerëzit dhe habitate për speciet. Ne duhet ta mbrojmë këtë trashëgimi natyrore Evropiane nga lakmia e kompanive dhe bankave për fitim”, thotë Ulrich Eichelmann (Riverwatch), koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Shumica e projekteve ende nuk janë realizuar, por presioni është në rritje. “Kur unë isha fëmijë ëndrra ime ishte të fitoja medaljen olimpike në vozitje me rrema nëpër lumenj. Tashmë i rritur, qëllimi im kryesor është t’i mbroj këta lumenj. Unë nuk e kam marrë medaljen, por do të bëj gjithçka mundem për të ndihmuar në mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. I ftoj kajakistët nga e gjithë Evropa për t’iu bashkuar këtij turi dhe të na mbështesin në këtë përpjekje”, thotë Rok Rozman, organizatori i Turit të lumenjve të  Ballkanit.

12 ditë të turit do të zhvillohen në Shqipëri, ku tre lumenjtë në fokus kryesor janë lumi i Valbonës, Osumi dhe Vjosa. Turneu do të përfundojë më 20 maj, në Tiranë me dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e Vjosës, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vjosa është lumi i fundit, i “egër” i Evropës, në të cilin, gjithashtu, janë planifikuar disa hidrocentrale.

“Ne duam të parandalojmë ndërtimin këtyre digave dhe në vend të tyre jemi duke bërë përpjekjet tona për mbrojtjen e Vjosës në të gjithë gjatësinë e saj, si një Park Kombëtar. Ky do të përbënte të parin Park Kombëtar të një lumi natyror në të gjithë Evropën”, thotë Thereza Schiller, koordinatore i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, pranë Fondacionin për Trashëgiminë Natyrore EURONATUR.

Sipas Martin Šolar, drejtor i WWF Adria, këta lumenj nga Alpet Dinarike deri në thellësinë jugore të Gadishullit Ballkanik janë “udhët e jetës” së rajonit: “Ne jemi duke punuar në disa lumenj në të gjithë Ballkanin dhe digat janë problemi më serioz që këta lumenj janë duke u përballur. Një pikë e nxehtë e një biodiversitetit të jashtëzakonshëm është në rrezik. Për këtë arsye, ne jemi të lumtur që po bashkojmë forcat tona dhe që mbështesin këtë turne. “

Turi i lumenjve të  Ballkanit është një aktivitet i organizuar në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, e cila është iniciuar nga “EuroNatur” dhe “RiverWatch” me qëllim për të mbrojtur lumenjtë e Ballkanit nga shkatërrimi përmes zhvillimit të pakontrolluar të ndërtimit të hidrocentraleve. Turi i lumenjve të Ballkanit është një iniciativë e përbashkët e Leeway Collective, EuroNatur, Riverwatch dhe WWF Adria që mbështetet nga Patagonia, Fondacioni Mava dhe fondacioni Manfred-Hermsen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: