VLORË

Turisti rus Sergey Dzambula ka treguar për gazetarin Enrik Mehmeti si ndodhi ngjarja në Vlorë, kur ndërhyri për të mbrojtur një qen por u sulmua nga dy adoleshentë.


“Isha në apartamentin tim kur pashë 4 persona adoleshentë që po sulmonin një qen. Mora dylbi të shikoja më mirë ngjarjen. Sapo e vërtetova që po sulmonin qenin telefonova policinë edhe më pas zbrita poshtë t’i bëja foto. Në momentin që i bëra foto dy prej çunave mu afruan, më kërkuan të më merrnin telefonin që të më merrnin fotot që i bëra, kur nuk pranova që tua jepja filluan të më godisnin. Më goditën pas koke, rashë në tokë, edhe aty u vrava tek duart.
Filluan më pas të më godisnin sërish edhe kur unë isha në shesh, edhe më pas u larguan. Nuk doja t’i bëja keq atyre dy adoleshentëve doja vetëm t’i ndaloja që mos të vrisnin kafshën e gjorë, por ata më sulmuan pa të drejtë duke u munduar të më thyenin telefonin. Shkova në fillim në spital për t’u mjekuar pasi u mjekova shkova në polici bëra denoncimin.
Pasi lajmërova policinë kam njoftuar edhe ambasadën ruse e cila do të merret me këtë ngjarje”, ka deklaruar turisti rus.



Menjëherë pas telefonatës së tij policia e Vlorës ka nisur patrullimet për identifikimin edhe kapjen e dy adoleshentëve që u filmuan.
“Në dhomën ku u mora në pyetje, dhashë deklaratën time në Policinë e Vlorës, fletën që shkrova në rusisht e firmosa, ndërsa fletën tjetër që erdhi nga policia nuk e firmosa pasi nuk dija çfarë ishte shkruar aty. Tani po pres që policia e Vlorës të kontaktojë ambasadën ruse edhe më pas ata të më sjellin fletën e përkthyer në rusisht që të mund ta firmos edhe çështja ime të shkojë në proces gjyqësor ndaj atyre çunave”, ka thënë më tej turisti.

I pyetur përse ka jetuar kaq shumë kohë në Shqipëri, ai përgjigjet se i pëlqen Shqipëria dhe se ka vendosur të lërë Rusinë edhe të jetojë këtu. Ështe e disata herë që vjen në Shqipëri, madje ka blerë edhe apartamentin e tij në Vlorë pasi i pëlqen shumë ky qytet.

(m.k/BalkanWeb)