Ervin Demo, kryebashkiak i Beratit, në emisionin Open në News24, duke folur për turizmin, tha se ka një rritje të konsiderueshme lidhur me të ardhurat në sektorin e turizmit. Demo tha se këtë vit të ardhurat janë 2 mld euro, ndërkohë që vjet ishin 1.5 mld, pra me një rritje të jashtëzakonshme.

Demo tha se këtë vit sezoni turistik ka treguar se kohëzgjatja e tij nuk ka qenë me përqëndrimin e turistëve në muajt e verës, por kemi me një sezon të zgjeruar, pasi turistët vijnë që në janar.

Duke iu referuar deklaratave të deputetes demokrate Ina Zhupa, Demo tha se “na e bëre si ajo: kemi trenin me 47 vagona, sa është mosha e makinistit”. Dhe në vijim të batutave, Demo tha se opozita mban zi sepse vijnë turistët në Shqipëri.

Referuar numrit të vizitorëve në Berat, Demo tha se është kaluar shifra e mbi 800 mijë vizitorëve vetëm në shtator.

“Një ndër sitet kryesore që kemi ne në Berat është Kalaja e Beratit, dhe vetëm me numërimin e turistëve që hyjnë dhe dalin nga kalaja në 1 muaj, është 65 mijë vizitorë. Në muzeun Onufri, janë mbi 90 mijë vizitorë që i referohen biletave të shitura. Nëse marrin numrin e atyre që flenë në hotele, të gjithë treguesit flasin se shifrat janë me një rritje 2 shifrore. Vizitorët nuk preferojnë që të shkojnë dhe të parkohen në një hotel dhe të qëndrojnë 10 ditë, por ato lëvizin, vizitojnë disa pika në Shqipëri”, tha Demo.

Në replikë me Kryebashkiakun e Beratit, deputetja Zhupa tha se referuar INSTAT, deri në qershor kanë ardhur 1 milionë turistë, dhe me shifrat e Qeverisë i bie që nga qershori deri në shtator, kanë ardhur 8.7 mln banorë.

“INSTAT thotë se deri në fund të qershorit kanë ardhur 1 mln turistë, ndërsa ministrja Mirela Kumbaro flet për 9.7 mln turistë. Atëherë kjo diferenca 8.7 ka ardhur në 3 muaj?”, tha Zhupa.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb