RUSI

Nga sesioni i 23-ë i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit (UNTWO), në Shën Petersburg, ku Shqipëria ishte për herë të parë pjesë e podiumit drejtues të Asamblesë, ministri Klosi vlerësoi rëndësinë e të qenit pjesë e kësaj organizate si dhe rolin e tij në pozicionin e zv presidentit të Asamblesë, si përfaqësues i shteteve europiane.

“Po ashtu është shumë e rëndësishme për të theksuar që Shqipëria tashmë konsiderohet një destinacion i ri turistik, një destinacion me shumë të ardhme, por që ka nevojë të diskutojë për disa problematika. Dhe në këtë asamble u diskutuan problematika që shqetësojnë turizmin europian, rajonal dhe Shqipërinë po ashtu, problematika që kanë të bëjnë me etikën e turizmit, me politikat që ndiqen për turizmin, por në radhë të parë me politikat që kanë të bëjnë me rëndësinë që ka turizmi për punësimin e më shumë njerëzve”, tha ministri Klosi nga Shën Petersburg.

Ai shtoi se në Asamble u diskutua edhe  për shkëmbim përvojash dhe projektesh të përbashkëta me vendet e rajonit, të cilat do të jenë tashmë shumë më tepër në fokus të punës së ministrisë së Turizmit në Shqipëri për të përfaqësuar këtë zhvillim turistik në vendet e rajonit.

“Është shumë e rëndësishme për të kuptuar që turizmi tashmë është bërë një biznes dhe si biznes ka edhe kërkesat e tij të konkurrimit të vazhdueshëm dhe prandaj ne duhet të përgatitemi për të qenë në të njëjtin hap me vendet më të zhvilluara europiane të konkurrencës turistike e pse jo për t’u shndërruar në një destinacion konkurrues edhe me vendet e rajonit që padyshim edhe në konference evidentohen si sukseset më të mëdha të turizmit botëror”, tha ministri Klosi, nga sesioni i 23-ë i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Turizmit (UNTWO).

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb