Para dy ditësh isha me pronarin e “Adriatik 2”, Ilir Kapllani. E kam mik dhe flasim lirshëm për problemet. Hoteli i tij është një ndërtesë me 40 dhoma të cilësisë superiore. Është në vijën e parë dhe largësia nga vija e ujit është vetëm disa metra. Vetë Iliri dhe ortaku i tij janë kuzhinierë në profesion, çka garanton cilësinë e kësaj fushe.


Në orët e gjata që ndenjëm, nuk biseduam për personelin dhe vështirësitë e gjetjes së tij; as për fushatat terrorizuese të tatimeve që llahtarisin klientët, por për situatën aktuale dhe mungesën e strategjive për një turizëm afatgjatë.


Pavarësisht reklamës, ditët efektive të turizmit tonë vazhdojnë të jenë tek 40 ditëshi. Ka fluks të turistëve lindorë, por jo në numrin që të mund të bëhet rentabël.


Vetë Iliri më thoshte se është në dilemë që pronën e tij ta shesë dhe të jetojë rehat me paratë e saj. Por ajo që nuk e le është se nuk e sheh dot veten pa punë.

Problemi që ka ai dhe gjithë profesionistët seriozë është puna në boshllëk. Ajo çfarë fitojmë në sezon, më thotë, na shkon për të mbajtur aktivitetin hapur në periudhën tjetër të vitit. I indinjuar më thotë se dhoma superiore në një hotel që pa frikë është me 4 yje, kushton vetëm 30€ me mëngjes brenda. Dhe t’i duhet të shohësh, vazhdon bisedën, që kur ulen në tavolinë nuk kanë stomak, por sillozë nga ato të portit.

Dhe më e keqja është që e shpërdorojnë ushqimin, dhe më tregonte foto ku tavolina është mbushur me pjata gjysmë të konsumuara.

Duhet t’i ngremë çmimin atdheut. Dhe kjo bëhet fare thjeshtë. Që mos mbysim njëri-tjetrin në konkurrencë ku ul e ul çmimet, një ditë do të falimentojmë të gjithë. Ministria e Turizmit duhet të ndërmarrë vetëm dy veprime fare të thjeshta:

1-Të caktojë norma rigoroze për yjet e hoteleve dhe të mos lejojnë pronarët t’i vendosin sipas qejfit.

2-Të vendosë sezonet dhe çmime dysheme sipas secilit sezon, në varësi të yjeve të hotelit.

Nëse kjo ministri nuk ndërmerr këto hapa, nuk do të jetë e largët dita që ne do të falimentojmë. Personalisht do t’i shtoja edhe një pikë të tretë kësaj ministrie, e cila përveç qokave duhet edhe të taksojë shoqëritë turistike që eksportojnë turistë shqiptarë jashtë.

Këto janë shoqëri që bëjnë vetëm rolin e ndërmjetësit duke marrë një fitim të pastër. Fitojnë të gjithë: shteti pritës, operatori pritës dhe natyrisht klientët. Por, ndërkohë, valuta jonë tretet jashtë dhe hotelet tona rrinë bosh.

Nëse këto taksohen me 20% dhe  shteti shqiptar do të ketë para reale të investojë, më shumë sesa të bëjë qoka.

(Dritare.net)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb