Nga Fatmir Popja.

Në Shqipëri ka disa fshatra me emrin Dardhë, por aktualisht shqiptarët njohin më shumë fshatin turistik të Dardhës në Juglindje të Korçës. Por jo të paktë janë edhe ata që njohin  Dardhën e Pukës e Dardhën e Beratit .Ndërkohë mjaft i njohur për shqiptarët është edhe fshati Dardhë i Librazhdit.E përbashkëta e këtyre fshatrave  është se ata janë fshatra malorë piktoreskë dhe të preferuar nga turistët vendas e sidomos nga të huajt . Secili prej tyre  ka të veçantat e tij dhe kjo i bën edhe më interesantë e mjaft të preferuar për ti vizituar . Fshati Dardhë i Librazhdit , ndër të katër  “Dardhat” e Shqipërisë është lehtësisht më i aksesueshëm nga turistët pasi nuk ndodhet shumë larg  kryeqytetit .Ai  shtrihet përgjatë rrugës kombëtare Tiranë -Korçë në të majtë të rrjedhës së  lumit Shkumbin dhe veçse një orë  larg nga Tirana.Ky fshat është përzgjedhur nga Qeveria të jetë pjesë  e Projektit të 100 fshatrave turistikë të Shqipërisë.

Banorët e tij  janë mjaft entuziastë për realizimin e këtij projekti dhe  besojnë se nga ana e qeverisë vendore dhe asaj qëndrore do të investohet në Dardhë me qëllim zhvillimin e shpejtë  ekonomik dhe turistik të këtij fshati me pasuri e bukuri të shumta natyrore .Turistët që zgjedhin të vizitojnë Dardhën e Librazhdit magjepsen nga pejsazhi natyror si edhe nga shërbimi e kulinaria e veçantë e zonës.Banorët e Dardhës janë jo vetëm mjaft mikpritës e të kulturuar por edhe tepër punëtorë .

Në këtë fshat  duke parë fluksin në rritje  të turistëve gjatë 2024  kanë vendosur të investojnë  pak nga pak si fillim për të  bërë gati  bujtinat e para .Ata  po e bindin veten dita ditës se po ju përkushtuan seriozisht industrisë së turizmit do të kthehen në një të ardhme jo të largët në konkurentë seriozë të Dardhës së Korçës që ka një traditë të hershme në këtë fushë. Kemi çdo gjë që kërkon industria e turizmit malor duke filluar bukuritë natyrore,  lumi , përrenjtë malorë, rezervuarin  , masivet pyjore, kodrat e malet, shpendët e kafshët e egra, stanet me bagëti, prodhimet bio,mullirin e bluarjes së drithit me ujë , histori, shpella e monumente natyre etj .

Kemi gjithçka për tu treguar turistëve dhe gjithçka për ti mirëpritur e për tju ofruar më të mirën e mundshme shprehen dardharët. Mes për mes fshatit Dardhë të Librazhdit kalon edhe një nga rrugët më të famshme të antikitetit , rruga Egnatia. Ajo që na duhet thonë banorët e këtij fshati është strategjia e qartë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe sigurimi i burimeve njerëzore të mjaftueshme për të ofruar shërbime cilësore ndaj turistëve . Strukturat drejtuese të Sektorit të Turizmit në Bashkinë e Librazhdit  dhe në Ministrinë e Turizmit meqenëse Dardha e Njësisë Administrative Hotolisht është pjesë e Projektit “100 fshatrat turistikë të Shqipërisë” duhet ti përvishen punës për të folur me vepra se krahas investimit të privatit duhen edhe investime shtetërore.

“Qejfmbetja për emrin e Festës  tradicionale”

Ndodh që tjetër emër ka festa dhe në tjetër vend zhvillohet , por të gjitha keqkuptimet kapërcehen kur bëhet fjalë për festë ,gaz e hare. Kështu ka ndodhur këtë javë me Festën e Hotolishtit, një prej festave tradicionale të një prej zonave më të njohura të Rrethit të Librazhdit .Ajo u zhvillua këtë fund Gushti në fshatin Dardhë të kësaj njësie në “Bahçen e Dardhës” ,në një nga mrekullitë e natyrës së kësaj zone. Vendasit edhe pse të buzëqeshur nuk e fshihnin qejfmbetjen e keqardhjen që mungonte emri i fshatit të tyre te emri i festës tradicionale .Gjithsesi dardharët  ishin mirëkuptues për këtë detaj dhe i mikpritën buzagaz mysafirët që e bënë të paharrueshme këtë ditë të veçantë për ta ku u takuan  e u çmallën edhe me bijtë e bijat e tyre që erdhën nga emigracioni me rastin e festës.Ata mburren me faktin që zona e Hotolishtit ka  zgjedhur Dardhën për festën lokale tradicionale që bën bashkë banorë nga të gjitha fshatrat e zonës të cilët gëzuan , kënduan e kërcyen vallet popullore në natyrën piktoreske të këtij fshati .Kryebashkiaku Mariglen Disha gjatë përshëndetjes së tij para të pjesmarrësve në këtë Festë i garantoi se Dardha  vitin e ardhshëm do jetë  prioritet i qeverisë vendore  për përmirësimin e infrastrukturës së gjithë rrjetit rrugor, hapjen e shtigjeve malore si edhe do të mbështesë maksimalisht zhvillimin e të gjitha projekteve që lidhen me turizmit.

“Pak Gjeografi për zonën e  Hotolishtit ”

Njësia Administrative Hotolisht shtrihet në pjesën Jugore të Bashkisë së Librazhdit me një popullsi prej 7100 banorësh  dhe të paktën 2100 familje .Në këtë njësi ka disa Qendra Shëndetësore me infermierë e mjekë si edhe disa çerdhe, kopështe,shkolla fillore, 9-vjeçare dhe një Gjimnaz me rreth 600 nxënës si edhe 23 biznese e disa njësi akomodimi .Kjo Njësi Administrative përbëhet  fshatrat , Hotolisht, Xhyrë,Dardhë, Kokrevë, Vulçan, Vehçan ,Buzgarë ,Frarë e Çerçan . Në Bashkinë e Librazhdit , renditet ndër  Njësitë Administrative me numrin  më të madh të popullsisë. Njësia Administrative e Hotolishtit ka florë dhe faunë mjaft të pasur .Kjo zonë është e mbuluar me pyje dhe ka plot burime ujore,kullota dhe disa ujëvara të vogla .

Ajo  ka një sipërfaqe me  rreth  11 278 ha pyje e kullota duke filluar nga pyjet që rriten në lartësi 300 m, me llojet shkurre deri te pyjet e lartë të ahut në lartësinë  mbi 1800 m. mbi nivelin e detit .

Hotolishti ka në përbërjen tij një nga Ujëvarat më të mëdha të Parkut Kombëtar të Shebenikut që ndodhet pikërisht në zemër të tij, në vendin e quajtur “Te Vali Madh” .Ushqimi i përhershëm i saj është burimi ujor natyror “Kroi i Shterpës ” ,por gjatë shkrirjes së borës nga Pllaja e Shebenikut dhe Pllaja e Furrsit, përreth 50 m,lartësi ,ajo krijon një pamje spektakolare që mahnit me madhështinë e saj vizitorët dhe turistët vendas e të huaj .Në këtë zonë gjendet disa prej shtigjeve malorë nga më të bukurit në Shqipëri që kalojnë nëpër pyje, kullota alpine e mes masiveve  shkëmbore sikurse janë shtigjet “Hotolisht Frarë-Guri i Pikës”, “Vehçan -Liqeni i, Varri i Plakës”,Shkolla e Vjetër-Përroi i Popes,Xhyrë”,

Në hapësirën gjeografike ku shtrihet Njësia Administrative Hotolisht ,gjenden rezervuari i Dardhës,i Frarit dhe i Vehcanit të cilët përdoren kryesisht për ujitjen e tokave bujqësore të fermerëve .Në këto basene ujore rritet edhe peshk i cili shfrytëzohet  për ushqim dhe tregti nga vendasit .Këto rezervuarë në çdo stinë të vitit ofrojnë  pamje spektakolare .

Një pjesë e konsiderueshme  e Njësisë Administrative Hotolisht ndodhet në një nga parqet më të mëdhenj të Shqipërisë  në atë të Parkut Kombëtar të Shebenikut me një sipërfaqe 6337 ha pyje dhe kullota. Ndërkaq në këtë zonë rriten bimë të shumta mjekësore dhe gjenden shpendë e kafshë të llojeve të ndryshme.Në këtë zonë gjendet ariu, ujku, derri ,kaprolli, dhia e egër,dhelpra, baldosa, lepuri ,shqiponja, kali i qyqes, sorra, korbi, thëllënxa,nuselala,ketri etj .

“Hani i Çepit dhe bujtinat fantastike ”

Gjatë eksplorimit të Njësisë Administrative të Hotolishtit janë të shumta destinacionet turistike malore që mund të vizitosh.Gjithkush tashmë  dëshiron të vizitojë Malin e Xhyrës , një nga Mini Perlat Natyrore të Librazhdit ku vitet e fundit është ngritur Agroturizmi “Hani Çepit”  .Ai mbetet një nga destinacionet më fantastike për tu frekuentuar  në çdo stinë të vitit ,por gjatë ditëve të nxehta të kësaj Vere ai është vendi ideal  i Relaksit .Ndodhet mes Natyrës së magjishme ku  mund të shijohen  gatime tradicionale dhe ushqime Bio  me shije të pa krahasueshme  .Vizitorët dhe turistët vendas e të huaj mund të përjetojnë momente unike nën tingujt e jashtëzakonshëm të orkestrimit të cicërimave të zogjve të  kombinuar me  melodinë fantastike të pyllit dhe gjithçka tjetër që ofron natyra me gjelbërimin shumëngjyrësh për rreth. Aty shërbejnë me dashuri dhe ju ofrojnë ushqime të shëndetshme dhe në këtë oaz qetësie mund  të shijoni jo vetëm ushqimet , por edhe muzgun, mëngjeset dhe mrekullitë e Natyrës së Malit të Xhyrës një prej destinacioneve më të preferuara të turizmit malor .”Hani i Çepit” vizitohet  nga qindra  turistë të huaj nga Gjermania,Polonia,Norvegjia,Anglia, Italia,Turqia ,Greqia ,Maqedonia e Veriut etj .Në këtë zonë jë tjetër destinacion i preferuar është  “Bujtina Mattia” ,Kompleksi Nogu” “Restoranti i Xhulit” , “Trofta Xhyra “, “Lokali Fatit të Xhyrës” si edhe   stanet e bagëtive të ngritura nga barinjtë profesionistë të zonës në kullotat malore si Stani i Alush Dajës ,Stani i Vullnet Dukes ,Stani Gezim Kurtit , Stani i djemve të Dilo Xhepit etj të cilët furnizojnë me mish, djathë, gjalp , gjizë e qumësht restorantet dhe Bujtinat e zonës .

“Rruga Egnatia, monument i antikitetit  ”

Në fshatin  Xhyrë dhe Dardhë të Njësisë Administrative Hotolisht  gjenden segmente të shumta me gjurmë të freskëta të rrugës Egnatia që  është monumenti më i njohur dhe më i rëndësishëm i antikitetit në Shqipëri.Rruga Egnatia është jo vetëm një nga rrugët më të vjetra në Botë , por edhe një nga rrugët më të shkurtra që lidhte mes tyre Perëndimin me Lindjen.Egnatia është një pasuri dhe atraksion turistik që duhet të shfrytëzohet për turizëm për të tërhequr sa më shumë vizitorë. Ringjallja e kësaj rruge do të sjellë një impakt ekonomik për të gjitha fshatrat ku ajo kalon duke u kthyer në një nga destinacionet më të rēndësishme turistike për Shqipërinë së afërmi.

Ndërkohë në këtë zonë destinacione të tjera për turistët janë  “Shpella e Plakës”, “Gurra e Zezë” ,”Gurra e Bardhë”,“Lapat e zeza”,”Gurra e Popes”, “Shtylla e Buzgarës” ,“Ndërmollë” “Shpella e Alarmës”,”Guri Skëndërbeut”,”Guri Sukllit “,”Guri i Bletës”,”Guri i Mollës”,”Gurtë e Thinj”,”Qyteza”,”Kalaja e Xhyrës”, “Gryka e Shkallës”,objektet e kultit etj .Natyra mjaft e pasur me pyje dhe me bimësi të shumëllojshme e bëjnë këtë njësi administrative shumë të preferuar  për zhvillimin e turizmit malor.

“Konkurencë edhe me festa e koncerte”

Gjatë kësaj Vere në  shumicën e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë u zhvilluan si kurrë më parë  festa lokale e koncerte të ndryshme ku u promovuan traditat, kultura, historia, kostumet popullore, këngët, vallet e mikpritja . Gjithashtu ,këto evente i shërbyen çdo zone  edhe për promovimin e produkteve dhe gatimeve tradicionale  si edhe të  potencialeve  turistike,monumenteve historike, kulturore e natyrore , por edhe për promovimin e Bujtinave , të Guest House ,Agroturizmit ,etj ,duke i sjellë ato në vëmendjen e vizitorëve e turistëve të huaj.Fatmirësisht festat lokale të kësaj Vere rigjallëruan fshatra të tëra në të gjithë vendin pasi ato vitet e fundit janë shpopulluar së tepërmi për shkak të emigrimit dhe migrimit.Por më i rëndësishëm është fakti që të gjithë janë futur në garë jo vetëm për të organizuar sa më bukur koncertin e festën lokale por edhe për të ftuar grupe e miq  të shumtë vendas e të huaj ,për të bërë kështu promovimin e gjithçkaje të mirë të zonës së tyre. Në të gjithë Shqipërinë gjatë kësaj Vere u zhvilluam me qindra koncerte ,festa lokale e panaire ku Bashkitë e Librazhdit dhe Prrenjasit spikatën me organizimet perfekte duke sjellë më shumë risi e konkurencë në këtë Verë.Dhe e rëndësishme është se gjithçka ka ndikuar për mirë dhe ka shërbyer për promovimin e kulturës , kulinarisë dhe destinacioneve të turizmit malor.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb