“Është e vështirë sot t’i shpjegosh një turisti që vjen nga Kina, Tajvani, Gjermania apo Franca, si pjesë e tureve kulturore, se ajo që ndodh në Tiranë mbetet në Tiranë. Këtu u referohemi tensioneve politike, tymit, flakës e dhunën që pushton faqet e para të mediave ndërkombëtare pas protestave të fundit. Por këto janë probleme që i janë shtuar së fundmi listës, ndërkohë që në të vërtetë sektori në vend vuan ende nga çështje elementare si koshat e plehrave, rrugët me gropa, mungesa e ndriçimit dhe projekte që nisen dhe nuk mbyllen asnjëherë”, thotë Sokol Hoxha, drejtues i një agjencie turistike, i cili nënvizon se në kushtet ku jemi nuk mund të konkurrojmë asnjë nga fqinjët, për të mos folur pastaj për tregje më të konsoliduara.

Si ka qenë ecuria e sektorit deri më tani që jemi në fund të 5 mujorit dhe si janë pritshmëritë tuaja për në vijim?

Ky vit, me thënë të drejtën, ka qenë më optimisti në fillimet e tij nisur edhe nga fakti që viti i kaluar u mbyll me një bilanc shumë të mirë për sektorin. Sesi do të shkojë deri në fund të vitit 2019 tani jemi të pasigurt. Janë disa faktorë që e kufizojnë. Normalisht koha këto javët e fundit po bën të vetën, por interes ka pasur. Ne na zgjedhin turistët, sepse jemi të lirë, sepse në kushte dhe shërbime as nuk krahasohemi dot me vendet e tjera, qoftë këto fqinjët tanë. Në këto kushte, duhet të bëjmë të pamundurën për të mbajtur ata që po vijnë. Klima e përgjithshme duhet thënë që ka qenë e mirë në fillim të vitit, pasi këto vite është bërë një përqasje minimale për ta nxitur si sektor.

Zbritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka qenë oksigjen për hotelet dhe ka qenë një hap i mirë për të ulur informalitetin. Subjektet që operojnë në këtë sektor preferojnë më mirë të deklarojnë në kushtet kur TVSH është 6%, sesa të pranojnë “cash”, sigurisht fenomeni nuk është zhdukur, por është zbutur. Në raport me veten jemi përmirësuar, por nëse krahasohemi me vendet e Ballkanit, duhet të shohim se Mali i Zi, Maqedonia, apo Greqia janë shumë më mirë. Kemi probleme elementare që shteti nuk po merr përgjegjësi që t’i rregullojë.

Cilat janë këto probleme që mendoni se sjellin edhe ndikimin më negativ në sektorin e turizmit?

E para ka qenë dhe mbetet infrastruktura. Sot në një pjesë të rrugëve ka gropa pa fund, mungojnë tabelat e orientimit, për të mos folur pastaj për pjesën e kategorizimit të hoteleve, që ka mbetur pezull. Marrim vetëm Golemin si shembull, ku akomodohen 50% e turistëve të huaj. Rruga dytësore që të jep akses në këtë zonë është skandal. Kemi kërkuar me vite e vite të tëra të njëjtat gjëra tek të gjitha qeveritë, aq sa jemi bërë të mërzitshëm dhe nuk bëhet asgjë konkrete. Edhe sot, pas 20 vitesh që operoj në sektorin e turizmit, ne vazhdojmë të kërkojmë gjëra elementare, një kazan plehrash më shumë, një trotuar më të aksesueshëm, një pusetë të mbyllur.

Këto shteti i ka në dorë t’i bëjë, thjesht paratë që vijnë nga sektori duhet të investohen në shërbim të sektorit, por në të vërtetë nuk ndodh kështu. Turistët e huaj që vijnë, marrin makina me qira për të parë Shqipërinë dhe i kthejnë të copëtuara, sepse ka gropa në çdo anë. Kemi dhe një problem tjetër, që lidhet në kalimin e turistëve nga Mali i Zi. Në sezon turistik, kalimi për autobusët e turistëve duhet të bëhet me listë dhe jo pasaportë për pasaportë. Kjo merr shumë kohë dhe kthehet në bezdisje. Duhet që shteti të angazhohet në marrëveshje dypalëshe që të shmanget pritja e gjatë e turistëve për kalimin e tyre në kufi.

Së fundmi po shihet me shqetësim situata politike e tensionuar me protesta dhe përplasje, ndërkohë që po afrojnë edhe zgjedhjet e qershorit. A ndikon te kjo situatë si operatorë?

Gjithkush ka të drejtën e protestës, por dashur pa dashur, situata me tensione, ne si sektor na ndikon drejtpërdrejt. Ne nuk jemi Franca që kur digjet Katedralja i dyfishohet numri i turistëve. Ne jemi me një imazh në fije të perit. Kemi kërkuar çdo vit që zgjedhjet të shtyhen në dimër ose në vjeshtë, dhe s’na është marrë kurrë parasysh. Zhvillimi i zgjedhjeve gjithmonë gjatë sezonit veror duam, s’duam, ka një lloj efekti psikologjik.

Po deri më tani, si duket situata, ka anulime apo stepje nga ana e atyre që kanë bërë rezervime?

Fillimi është i mirë, nëse s’do të ketë anulime për shkak të përkeqësimit të situatës që përflitet se mund të ndodhë. Shpresojmë për më mirë, por jemi larg asaj që prisnim në fillim të vitit me këtë që shohim. Ata që po na vizitojnë këto kohë kanë qenë grupet kulturore gjermanë dhe franceze. Janë grupe që bëjnë shëtitje në çdo qytet, vizitojnë sitet arkeologjike. Nisin nga Shkodra në Berat, Vlorë, Gjirokastër. Shohin muzetë. Nëse krahasojmë numrat, gjermanët janë në rritje në krahasim me një vit më parë dhe nëse situata shkon mirë këtë vit, ata kanë kërkuar dyfishim për vitin e ardhshëm, por na kanë bërë të qartë që duan gjëra konkrete.

Duan të shohin përmirësim real dhe kjo mund të bëhet vetëm me një ndërhyrje serioze nga shteti, ku të ardhurat nga turizmi të shkojnë te turizmi. Këtë e praktikojnë vendet që kanë përparësi sektorin dhe funksionon. Duhet ndërhyrje urgjente në Golem, edhe pse Shqipëria nuk është Golemi. Ne duhet të marrim masa në të gjithë vendin, pasi sukses është që turistin ta fusësh në brendësi të vendit, në çdo zonë. Sot nuk shkohet në Theth në Veri, sepse ka borë. Nuk është hedhur asnjë lopatë zhavorr në Rrugën e Komanit, Velipoja s’ka asnjë llambë ndriçimi dhe as një metër asfalt. Punët e nisura lihen përgjysmë, siç ndodhi me rrugën e Shirokës dhe Velipojës.

Shkojmë në Jug, Gjirokastra është hapur tërësisht qendra e qytetit. Ne krenohemi me këtë qytet, por ashtu siç e kanë katandisur nuk kemi ç’t’ju tregojmë, e kanë lënë hapur dhe me siguri mbaron në fund të sezonit. Nëse do të shkosh te Syri i Kaltër duhet të marrësh makinë të lartë se ajo 1.5 kilometra rrugë që të çon aty nuk bëhet me makinë të vogël. Duhet që turistëve t’ua bëjmë përvojën sa më të këndshme në Shqipëri që t’i mbajmë. Maqedonia jep sot subvencione tek agjencitë 30-40 euro për çdo turist që qëndron më shumë se tre ditë, ne na vijnë dhe s’dimë t’i mbajmë. Maqedonia është një model në menaxhimin e turizmit që duhet ta marrim shembull./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: