Një armë e specializuar zanore është përdorur kundër protestuesve në Beograd.

Në pamjet e shpërndarë në mediat sociale, shihen momentet kur protestuesit qëndronin të qetë, duke protestuar në mënyrë paqësore dhe duke mbajtur 15 minuta heshtje për viktimat që humbën jetën në Novi Sad, por turma “ndahet në dysh” nga ajo që është quajtur si “topi zanor”.

Sipas ekspertëve ushtarakë, zhurma e fortë ishte shkaktuar nga një ‘top zanor’, një armë jo vdekjeprurëse që përdoret për të çorientuar dhe frikësuar turmat, shkruan N1.

Ky mjet është pjesë e arsenalit të sigurisë shtetërore serbe dhe është përdorur me qëllimin e qartë për të destabilizuar protestën paqësore.

“Pyetja kryesore është: kush dha urdhrin për përdorimin e kësaj arme? Në një moment kur protestuesit ishin të qetë dhe po nderonin viktimat, regjimi vendosi të demonstrojë forcën në mënyrë brutale. Ky është një akt arrogance dhe një shfaqje e hapur e urrejtjes ndaj qytetarëve të tij,” deklaroi Aleksandar Radiç për portalin N1.

Një top zanor, i njohur gjithashtu si një armë akustike ose armë me energji të drejtuar, është një pajisje që lëshon valë të fuqishme zanore ose për të shkaktuar shqetësim fizik ose për të çorientuar individët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb