Kombëtarja e vajzave U-15 ka nisur që prej së premtes grumbullimin në Tiranë, në kuadër të turneut “UEFA Development” për këtë grupmoshë. Nën drejtimin e trajneres Daniela Kodra, 20 vajzat kuqezi po kryejnë seancat stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në një prononcim për fshf.org, trajnerja Kodra u shpreh e lumtur që i është besuar stoli i Kombëtares U-15 dhe shpreson që skuadra të marrë rezultate pozitive në këtë turne.
“Shumë e lumtur dhe është përgjegjësi shumë e madhe njëkohësisht. Dua të falënderoj Federatën e Futbollit për besimin që më ka dhënë dhe kam besim që do ia dalim, të arrijmë diçka të mirë dhe t’i japim këtyre vajzave atë që ato kanë nevojë, një shtysë për të ecur përpara dhe për të gjetur rrugën e duhur drejt futbollit”.
Sa i përket skuadrës, trajnerja shqiptare u shpreh se ka besim te vajzat e ftuara për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë turne dhe e gëzuar që kanë zgjedhur të luajnë për ngjyrat kuqezi.
“Në përbërje të ekipit kemi vajza që luajnë në kampionatin shqiptar dhe vajza që vijnë nga kampionatet jashtë Shqipërisë. Jemi të lumtur kur shikojmë sa të lumtura janë për ftesën që kanë marrë nga ekipi kombëtar. Kjo na motivon edhe ne si staf që të punojmë më shumë për to dhe të japim më të mirën tonë. Kam besim te ky grup. Janë vajza që dinë të luajnë mirë futboll, e dashurojnë futbollin. Mendoj se do marrim 100% nga secila prej tyre.
Objektivi ynë është që të paraqitemi sa më mirë, të bëjmë ndeshje sa më të mira dhe vajzat ta shijojnë. Për mua e rëndësishme është që vajzat pasi të kthehen në shtëpitë e tyre pas këtij turneu të ndihen të motivuara dhe të kenë një shtysë për të punuar më shumë e ta kenë si kujtim të bukur në karrierën e tyre”- tha Daniela Kodra për fshf.org.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë të hënën ndaj Kosovës, në ora 15:00 në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Më 2 tetor, vajzat kuqezi do të luajnë ndaj Estonisë ndërsa më 5 tetor Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut ndaj Maqedonisë së Veriut. Të gjitha ndeshjet do të luhen në “Shtëpinë e Futbollit”.