Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku është sulmuar nga një shqiptare, gjatë një ligjërate në Universitetin e Denverit.

Çitaku është sulmuar në prani të ish-ambasadorit Christopher Hill i cili në fund të viteve ’90 ka ndërmjetësuar në konfliktin Kosovë-Serbi. Diplomatja ka qenë e ftuar të flasë lidhur me sfidat që përballet shteti i ri në rajonin e Ballkanit.

Sulmi ka ndodhur pasi aktivistja Blerta Avdyli e pyet ambasadoren lidhur me situatën në Kosovë, mungesën e vendeve të punës, shëndetësinë problematike, situatën e keqe në arsim, të drejtat e cënuara të komunitetit LGBTI si dhe rreth rastit të vdekjes së Astrit Deharit, duke hedhur akuza për vrasje, transmeton Express.

Pasi shtroi pyetjen, aktivistja nuk ka duruar por ka nisur replikat me Çitakun. E vënë në siklet diplomatja i ka thënë se “ti je dukshëm një aktiviste politike, por unë nuk jam”. Kjo e ka nervozuar Avdylin e cila ka nisur të bërtasë “shame on you” (turp të kesh), dhe e ka qëlluar me diçka që ka pasur në dorë Çitakun dhe Kriss Hill.


Ndërkohë për sulmin ka rrëfyer edhe vetë ambasadorja në një postim në Facebook.

“Sot kam qenë e ftuar në një bashkëbisedim nga Denver Women in International Security. Bashkë me Ambasadorin Christoper Hill sqaruam para studentëve dhe mysafirëve të shumtë situatën në Kosovë dhe Ballkan, rritjen e influencës Ruse dhe nevojën për rritjen e vëmendjes së SHBA-ve karrshi Kosovës dhe rajonit tonë. Bashkëbisedimi ishte shumë dinamik, dhe pati shumë pyetje interesante për rrolin e NATO-s, të drejtën ndërkombëtare, rrolin e gruas në proceset e shtetndërtimit etj. Nga fundi I bashkëbisedimit, një aktiviste shqiptare, u ngrit, më akuzoi se jam kriminele, vrasëse ( duke iu referuar vdekjes së Astrit Deharit), pastaj akuzoi Ambasadorin Hill që po promovon kriminelët. Dhe në fund hodhi vezë në drejtimin tim. Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin. Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda, dhe nga ato shpifje pa krip. Është krejt normale të kemi mospajtime, por ato duhet të mbesin në nivelin e debatit, e asnjëhere në sulm e shpifje ndaj tjetrit. Kaq për sonte. Vlora”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb