Partia e Presidentit turk Recep Taip Erdogan kryeson në zgjedhjet lokale që shihen si sprovë e qeverisjes së tij. Presidenti Erdogan i ka përshkruar këto zgjedhje si betejë për mbijetesën e Turqisë. Rezultati i tyre shihet si provë e besimit të zgjedhësve në udhëheqjen e zotit Erdogan ndërkohë që vendi vuan nga probleme të shumta ekonomike dhe inflacion i thellë.

Media shtetërore thotë se partia e zotit Erdogan ka marrë 47.5% të votave, ndërkohë që mbeten rreth 35% e votave pa u numëruar. Sipas rezultateve të hershme, partia opozitare ka marrë rreth 31% të votive, shkruan VOA.

Votimet u shoqëruan nga akte dhune ku mbetën të vrarë dy vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë në zona të ndryshme të vendit.

Megjithëse emri i Presidentit Erdogan nuk është në fletëvotime, ai ishte i përfshirë direkt në fushatën për zgjedhjet lokale. Shumë analistë e komentuan angazhimin e tij si shenjë se ai ishte realisht i shqetësuar se partia e tij mund të humbiste në gara kryesore. Zoti Erdogan zhvilloi dhjetëra tubime gjatë ditëve të fundit në Stamboll për të konsoliduar mbështetjen për partinë e tij.

Në të gjitha fjalimet ai është përpjekur të largojë vëmendjen nga ekonomia duke u përqëndruar tek siguria e vendit dhe duke ngritur shqetësime për kërcënime nga separatistët kurdë.

Një temë tjetër ka qenë axhenda e tij fetare. Ai ka luajtur në disa tubime momente nga masakra e 50 myslimanëve në dy xhami në Zelandën e Re, duke e prezantuar veten si mbrojtës të myslimanëve në mbarë botën. Analistët thonë se kjo retorikë ka qenë gjithmonë e suksesshme me bazën e tij nacionaliste dhe fetare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: