Për një kilogram qepë, disa tregtarë në Turqi kërkojnë ndërkohë 10 lira turke, apo rreth 1,50 euro. Kjo është afërsisht trefishi në krahasim me një vit më parë. Kjo i ka zemëruar turqit, veçanërisht, sepse në fund të fundit, qepët bëjnë pjesë në ushqimet bazë dhe në shumë gjellë të kuzhinës turke.

Në tregun e Kadiköy, një lagje e Stambollit direkt në Bosfor, atmosfera është jo e mirë. “Një gjë të tillë nuk e kam parë kurrë. Patatet, domatet, qepët më parë qenë diçka e zakonshme në tryezën e ngrënies, këtë vit bëjnë pjesë më tepër te produktet e luksit”, ankohet një klient që bën pazarin e përditshëm.

Prej fundit të vitit 2017 lira e humbi shumë vlerën, pjesërisht deri në 30 për qind. Megjithatë, shumë turq i mbetën besnikë Erdoganit dhe qeverisë së tij. Por gradualisht mbështetja e zgjedhësve duket se po humbet.

Sipas Presidentit turk Erdogan, përgjegjës për “terrorin e ushqimeve” janë fuqi të errëta. Spekulantët mbajnë të fshehura qepët, për t’i rritur qëllimisht çmimet. Kritikët thonë se inflacioni në tregun e ushqimeve është i vetëshkaktuar. Ekspertët shohin dobësinë e ekonomisë si faktor vendimtar për rezultatin e keq në zgjedhje.

“Politika ekonomike nuk ishte sa duhet e qëndrueshme dhe e orientuar drejt së ardhmes”, thotë Erdal Yalcin, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike në shkollën e lartë të Konstancës. Shumë para u investuan në infrastrukturë dhe njëkohësisht për vite të tëra nuk u punua për rritjen e produktivitetit. Veçanërisht sektori agrar e bën të qartë dështimin e kësaj strategjie. Turqia ka kushte perfekte klimaterike për një bujqësi produktive. Megjithatë, frutat dhe perimet duhet të importohen, sepse është investuar shumë pak në sektorin agrar”, thotë Yalcin/DW

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb