Turqia dhe Japonia synojnë të finalizojnë bisedimet për një marrëveshje të partneritetit ekonomik deri në fund të vitit 2020, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Mevlüt Çavuşoğlu gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të G20-tës në Nagoya të Japonisë tha se të dy vendet synojnë të shpallnin Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik Japoni-Turqi (EPA) deri në fund të vitit.

Çavuşoğlu tha se pati një takim “të frytshëm” me homologun e tij japonez, Motegi Tosimitsu, dhe se të dy diskutuan marrëdhëniet bilaterale, me një fokus të veçantë në marrëveshjet tregtare.

Ai shtoi se palët gjithashtu ranë dakord për një marrëveshje bashkëpunimi teknik midis agjencive përkatëse shtetërore të ndihmës, Agjencisë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Japonisë (JICA).

“Me dëshirën e Zotit, vëllimi ynë tregtar do të bëhet më i madh dhe më i ekuilibruar me Marrëveshjen e Partneritetit Ekonomik”, tha Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu shtoi se ai do të vizitojë Katarin nga Japonia, ku delegacioni turk, i udhëhequr nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, do të marrë pjesë në Takimin e Komitetit Strategjik me Katarin.

I pyetur në lidhje me axhendën e Turqisë në takimin e liderëve të NATO-s të planifikuar për 3-4 dhjetor, Çavuşoğlu tha që Ankaraja do të ndajë vizionin e saj për zgjerimin e organizatës dhe se si duhet të përshtatet në luftën kundër kërcënimeve të reja.

Ai theksoi se Turqia, Gjermania, Franca dhe Britania do të zhvillojnë një takim katërpalësh gjatë mbledhjes së NATO-s, ku do të diskutohen çështjet mbi Sirinë dhe Evropën.

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe me vendet e tjera, Çavuşoğlu tha: “Qoftë ato me SHBA-në apo vendet e tjera, ne gjithmonë dëshirojmë të përdorim diplomacinë për të arritur një marrëveshje përmes negociatave për çdo çështje”.

“Megjithatë, ne kurrë nuk e pranojmë imponimin dhe nuk do të lejojmë askënd të ndërhyjë në fushën tonë të sovranitetit…Ne mund të zhvillojmë diskutime në çdo kohë, për çdo temë, mbi bazën e respektimit të të drejtave sovrane”, tha kryediplomati i Turqisë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb